Veteranët dhe Estrada zhvilluan ndeshje në shënim të ditëlindjes së Legjendës së futbollit mbarëkombëtar, Fadil Vokrri

Në shënim të ditëlindjes së Legjendës së futbollit mbarëkombëtar, Fadil Vokrri, mbrëmë, në stadiumin që e bartë emrin e tij është zhvilluar ndeshja revyale ndërmjet ekipit të Veteranëve dhe ekipit të Estradës. Në fushën e gjelbër u paraqitën emra të njohur të futbollit dhe të estradës, duke e nderuar kësisoj figurën e ish-presidentit të FFK-së, i cili dy vite më parë u nda nga jeta. Për shkak të situatës me pandeminë numri i pjesëmarrësve në këtë aktivitet ishte i kufizuar, teksa të pranishëm ishin edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi si dhe familjarë e miq të Legjendës.

Fitores në këtë ndeshje revyale iu gëzuan Veteranët e futbollit, me rezultat 6:2. Në minutën e 9-të loja u ndërpre për të nderuar me duartrokitje të gjata veprën dhe karrierën e Legjendës, teksa në ekran u shfaq edhe një video e përgatitur për këtë datë nga grupi i tifozëve “Dardanët”. Në fund, të dyja ekipet u nderuan me medalje, të cilat i shpërndau kryetari i Ligës së Veteranëve, Enes Shosholli, derisa trofeun ekipit fitues ia ndau presidenti Agim Ademi.