Sonte nata e filmave dhe dhurimit të librave në Prishtinë

0
37
Më 8 tetor, prej orës 19:00 në Termokiss në Prishtinë, Sbunker sjell filma të shkurtër nga kategoria e të Drejtave të Njeriut të Festivalit Ndërkombëtar të Dokumentarit dhe Filmit, DokuFest. Filmat e shkurtër trajtojnë tema shoqërore nga regjisorë dhe artistë të rinjë nga Kosova.
Pas shfaqjes të filmave, do të dhurohen disa libra dhe do të mbahet një diskutim që lidhet me tematikën e filmave të shfaqur.
Për shkak të masave për mbrojtje nga pandemia COVID-19, numri i pjesëmarrësve/eve është i kufizuar, prandaj regjistrohu në këtë link për të siguruar vendin: shorturl.at/dmxJZ
Rreth filmave:
Adet: Një hije e zezë që nuk i lë gratë, por edhe nuk i viziton burrat. Kështu mbajnë zi njerëzit në Prizren. (5 min)
Between Lines: Arsimi i Lartë në Kosovë lufton për tu zhvilluar, teksa ekosistemi i tij akademik po pllakoset në mënyrë të pamëshirshme nga instanca të plagjiaturës skandaloze. Fenomeni dhe implikimet e tij në komunitetet e fakulteteve dhe përtej paraqiten përmes lenteve të aktivistëve, profesionistëve shëndetësor si dhe novatorëve, secili duke e dhënë perspektivën e vet unikë për situatën. (8 min)
Devolucion: Një nëntë vjeçar portretizon monotoninë e një jete të vazhdueshme prapa ekranit. Armët, dhuna që ai sheh gjatë ditës padyshim se ndikon në shëndetin mental dhe fizik të tij.(4 min)
For the Sake of: Si shumë gra të tjera në Kosovë, edhe ajo është viktimë e abuzimit, e cila ka qëndruar në shtëpinë e njëjtë me abuzuesin për dekada të tëra. (6 min)
In Rainbows: Është një dokumentarë i shkurtë që fokusohet në jetën e drag queens në Kosovë dhe luftën e tyre kundër intolerancës në një kryeqytet. (7 min)
Melancholia: Një krahasim vizual në mes të grupeve më të rëndësishme të moshës në jetë, ku ata janë të prirë të mendojnë se bota është një vend për të kultivuar ëndrrat e tyre, vetëm për të zbuluar se duhet tu adaptohen normave dhe standardeve që u jepen. (4 min)
Nosotros: Shpyllëzimi, ndotja e ajrit dhe e ujit, ngrohja globale, ndryshimi klimatik, dhe përgjegjësia sociale në vetëm një fjalë: NOSOTROS. (6 min)
The Bright Side: Yllka Berisha, një grua 35 vjeçare, na tregon për pasionin e saj të jetës. Ajo e shijon jetën plotësisht. Një portret i një personaliteti të mrekullueshëm, i mbushur me befasi, e cila do na lë pa fjalë. (9 min)
Nata e filmit dhe dhurimit të librave është mundësuar nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë.
Filmat janë prodhuar nga DokuFest si pjesë e projektit “Shkolla dhe Filmi Dokumentar”, financuar nga National Endowment for Democracy.