Gjermania i dhuron Qendrës Klinike Universitare 15 respiratorë në vlerë prej 437 mijë eurosh

0
46

Shteti gjerman, përmes ambasadës së saj në Prishtinë, i dorëzoi Qendrës Klinike Universitare 15 respiratorë në vlerë prej 437 mijë eurosh, si ndihmë shtesë në kuadër të mbështetjes për Kosovën në luftën me pandeminë COVID-19.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, falënderoi shtetin e Gjermanisë për përkrahjen e vazhdueshme, gjersa tha se pajisjet do të përdoren në mënyrë të drejtë.
“Ne e sigurojmë Ambasadën e Gjermanisë dhe taksapaguesit gjermanë se pajisjet do të përdoret sipas nevojës, me shumë kujdes, dhe do t’i ruajmë ato. Që të mos kemi nevojë për aparatura të reja, ne, si qytetarë, duhet ta kryejmë punën tonë, duke zbatuar masat për parandalimin e pandemisë COVID-19”, tha Krasniqi.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, vlerësoi lart kontributin e shtetin gjerman gjatë kohës së pandemisë, ndërsa theksoi se aparatura e re do t’i ndihmojë profesionistët shëndetësorë që të shpëtojnë jetën e atyre , të cilët mund të përballen me COVID-19.

Zemaj, po ashtu, bëri të ditur se nga sot do të trefishohet numri i testimeve për COVID-19.
“Sapo erdha nga IKSHP. Nga sot do të trefishohen kapacitetet testuese falë ndihmës së donatorëve. Ky front i përbashkët i krijuar me popullin e civilizuar europian, na e shton përgjegjësinë për angazhim shtesë”, deklaroi Zemaj.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Joern Rohde, shpreson që pajisjet e reja të përdorën sa më pak, pasi që do të ishte një tregues i mirë në rrugën për ta fituar luftën me pandeminë.
“Po i afrohemi sezonit të dimrit dhe mund të ketë rritje të rasteve jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet tjera. 15 respiratorët janë nga firma Drager e Republikës Federale të Gjermanisë. Është kënaqësi t’i dorëzoj këtu, meqë janë prodhuar nga vendi ynë”, tha ambasadori Rohde.