Sllovakia testoi gjysmën e popullsisë në një ditë

0
88

Pothuajse gjysma e popullsisë së Sllovakisë bëri testin e antigjenit për Covid-19 të shtunën, si një përpjekje për ndihmuar në luftimin e infeksionit.

Skema, e para për një vend me madhësi të Sllovakisë, po shihet nga vendet e tjera si një mënyrë efektive për të ngadalësuar përhapjen e virusit dhe për të shmangur mbingarkimin e sistemeve shëndetësore.

Ministri i Mbrojtjes, Jaroslav Nad’ tha të dielën se 2.58 milionë sllovakë bënë testin të shtunën dhe 25,850 ose 1% rezultuan pozitivë dhe duhej të kalonin në karantinë. Sllovakia ka një popullsi prej 5.5 milionë njerëz dhe synon të testojë sa më shumë, përveç fëmijëve nën 10 vjeç.

Më shumë se 40,000 mjekë dhe ekipe të ushtrisë, policisë, punonjës administrativë dhe vullnetarë u vendosën në rreth 5,000 vende për të administruar testimin. Testimi ishte falas dhe vullnetar, por qeveria u shpreh se do të merrte masa ndaj njerëzve që refuzonin të testoheshin duke i ndaluar të shkonin në punë.

Covid-19: Sllovakia testoi gjysmën e popullsisë në një
NJË GRUA PO TESTOHET PËR COVID-19 NË BRATISLLAVË. PHOTO COURTESY: VLADIMÍR ŠIMÍCEK / AFP / GETTY IMAGES
Kryeministri, Igor Matovic, kërkoi falje për ushtrimin e presionit mbi njerëzit, por tha se kërkesa ishte e justifikuar. “Liria duhet të shkojë së bashku me përgjegjësinë ndaj atyre që janë më të dobëtit midis nesh, pacientëve të onkologjisë, të moshuarve, njerëzve me sëmundje të tjera,” tha ai në një konferencë shtypi.

Sllovakia kishte relativisht pak infektime në pranverë dhe verë pasi vendosi shpejt kufizime. Por infeksionet janë rritur në javët e fundit, duke ngritur shqetësimin se vendi mund të përballet me të njëjtin problem si Republika Çeke, e cila ka shkallën më të lartë të vdekjeve dy-javore në Europë.

Skema është përballur me kundërshtimin e disa ekspertëve të cilët thanë se testet e antigjenit të përdorura janë më pak të sakta sesa testet laboratorike PCR. Sidoqoftë, qeveria po planifikon një raund të dytë testimi fundjavën e ardhshme.

Burimi: Guardian