Ribery në dilemë të madhe

0
36

Shumica e futbollistëve të njohur, në përfundim të karrierës së tyre po vendosin të shkojnë në SHBA ose vendet aziatike, ku përveç një aventure të re po gjejnë edhe një “thes” me para.

Duket se kështu nuk do të ndodhë me francezin Franck Ribery,  pa dyshim njëri nga lojtarët më të mirë te skuadra e Bayernit. Francezi është rikthyer ai i kohëve të vjetra dhe po shkëlqen në fushën e lojës. Driblime dhe gola, këto janë shfaqjet e tij të fundit.

Një rini e dytë për Franck, i cili luan sezonin e tij të fundit me bavarezët. Kontrata e tij e rinovuar në majin e kaluar skadon në qershor të 2019- ës dhe gjasat që ai të rinovojë sërish janë të pakta. “Të gjithë më duan”, ishin fjalët e francezit pas ndeshjes ndaj Frankfurtit, ku ai shënoi dy gola.

Ndërkohë, presidenti Karl-Heinnze Rummenigge tha para disa javësh: “Nuk ka lojtarë të vjetër, por vetëm të mirë dhe më pak të mirë”. Ribery pa dyshim tani është nga më të mirët për skuadrën e Bayernit që ka arritur të kapë vendin e dytë në renditje pas Borussias që kryeson kampionatin.

Edhe trajneri Niko Kovac deklaroi se kërkon ta ketë lojtarin nën urdhrat e tij edhe në sezonin që vjen. “Ai është një djalë shumë i mirë, atë që jep për skuadrën shumë pak e bëjnë në moshën e tij. Më vjen mirë që e kemi në ekip”, u shpreh Kovac. Vetë Franck nuk përjashton një qëndrim të mundshëm në Mynih edhe për sezonin tjetër. Por, kjo nuk varet vetëm nga ai. “Nuk i dihet kurrë se çfarë mund të ndodhë në jetë”, tha francezi.

Por, çfarë do të ndodhë me francezin nëse vendos të largohet nga Bayerni? Sipas asaj që shkruan “Sky”, Franck mund të rikthehet në Turqi te Gallatasaray.

Lojtari ka qenë pjesë e skuadrës turke nga 1 janari 2005 deri në 1 korrik 2005. Në Turqi janë të gatshëm të nënshkruajnë një kontratë për një vit e gjysmë që tani në dimër./OxygenPress.info