Pse duhet investuar në turizëm?

0
104

Pse duhet investuar në turizëm? E thjeshtë. Sepse turizmi është një nga mundësitë më të mira për të forcuar ekonominë. Prekë thuajse të gjitha profesionet, bizneset dhe qytetarët. Pra është biznes i secilit. Është barometër i ekonomisë dhe zhvillim ekonomik. Për shkak të pozitës së saj gjeografike, Kosova ka potencial për zhvillim e turizmit. Për t’i dhënë kahje të duhur turizmit, duhet punë e përbashkët ndërministrore. Duhet plane dhe implementim i tyre dhe sigurisht përkrahje nismave që promovojnë turizmin. Duhet projekte që tërheqin vizitorët e huaj.

Vendet me potencialin më të lartë për zhvillimin e turizmit në Kosovë janë: Prishtina, si kryeqendër, e cila karakterizohet me jetën e natës, që mund të shihet atraktive për vizitorë sidomos të moshave të reja; Peja, me Grykën e Rugovës dhe Drinin e Bardhë; Prizreni, me Malet e Sharrit, bashkejetesën e konfesioneve të shumta, xhami e kisha katolike dhe ortodokse të vendosura me shumë harmoni pranë njëra-tjetrës, kalanë e cila ka një pozitë të mrekullueshme gjegrafike dhe lehtësisht e qasshme në këmbë dhe lumin e bukur në mes të qytetit; Lidhjen e Prizenit, që bart në vetë histori; Brezovica, e cila shtrihet në Malet e Sharrit, si një resort i mrekullueshëm skijimi, që i ofron Kosovës mundësi shfrytëzimi të turizmit dimëror; Artana, e cila ofron vende të mrekullueshme për hiking&biking; Ulpianën, si qytet antik; Gjakovën, me Kullën e Abdullah Pashë Drenit, Xhaminë e Hadum Agës, teqen e bektashinjve, Hanin e Haraçisë, Muzeun Etnografik, Çarshinë e Madhe si disa nga monumentet kulturore e historike që i shtojnë bukurinë qytetit të Gjakovës, e që nuk përfundon me to, por turistët me shumë kënaqësi do të vizitonin edhe Kodrën e Çabratit, Erenikun apo edhe shpellat e mrekullueshme të Kusarit.

Këto janë vetëm pikat kryesore ku turizmi do të mund të zhvillohej, pa abstrahuar vende të tjera të bukura në gjithë Kosovën, me natyrën shumëngjyrëshe kudo që shkon. Udhëtarët shikojnë atë çfarë u del para, për dallim nga turistët, që shikojnë ato për çfarë kanë udhëtuar të shohin, andaj me patjetër duhet shumë punë, për të zhvilluar turizmin dhe t’i promovojmë vendet tona, dhe t’i nxisim turistët të na vizitojnë./IMAGE of KOSOVO