Pse disa njerëz dalin pozitivë me Covid-19, edhe pasi marrin vaksinën?

0
110

Një vaksinë kundër Covid-19 nuk siguron mbrojtje të plotë ose të menjëhershme, që do të thotë se është akoma e mundur të infektoheni dhe të dilni pozitiv për virusin.

Stephen Lynch, politikan amerikan, doli pozitiv pas dozës së dytë të vaksinës, ndërsa mjeku Pëllumb Pipero rezultoi pozitiv pas dozës së parë.

Këto dhe të tjera raste mund të kenë rezultuar të tillë për disa arsye:

Ekziston një vonesë midis vaksinimit dhe mbrojtjes

Duhen disa ditë deri në disa javë që vaksina të funksionojë, sipas CDC. Duhet pak kohë për t’u zhvilluar përgjigjja imune. CEO i Moderna thotë se “doza e parë mund të sigurojë një farë mbrojtje, por s’ka ende të dhëna që e provojnë këtë”.

Për Pfizer, pas 14 ditësh doza e parë ishte rreth 52% efektive në parandalimin e sëmundjes, tha dr. Robert Salata, i cili ishte hetuesi kryesor për vaksinën Pfizer në spitalin e tij.

Vaksinimi parandalon shumicën, por jo të gjitha sëmundjet

Ju përsëri mund të dilni pozitiv pasi të vaksinoheni sepse vaksina nuk është 100% efektive. Të dyja vaksinat e autorizuara janë shumë efektive, por ato nuk ofrojnë mbrojtje totale.

– Vaksina Pfizer ishte 95% efektive në parandalimin e sëmundjes në provat klinike pasi njerëzit morën dy doza.

– Vaksina Moderna ishte 94% efektive në parandalimin e sëmundjes tek njerëzit që morën dy doza në provat klinike.

Vaksinimi parandalon sëmundjen, por është ende e paqartë nëse, apo sa, ajo parandalon të gjitha infeksionet.

Informacioni nëse vaksinat parandalojnë që virusi të na infektojë dhe ne mund të mbetemi pa simptoma është ende i paqartë dhe sipas mjekëve, është ende në studim.

“Për sa kemi parë, këto vaksina me të vërtetë po ndryshojnë lojën në parandalimin e sëmundjes dhe madje edhe ashpërsinë e sëmundjes”, u shpreh Namandje Bumpus, drejtor i departamentit të farmakologjisë dhe shkencave molekulare në Universitetin Johns Hopkins.

“Megjithatë, përqendrimi në numrin e efikasitetit nuk e përshkruan të gjithë tablonë, sepse gjithsesi mund të përfundoni me Covid, por nga të gjitha indikacionet që shfaqen, duket se ato raste janë me të vërtetë më pak të rënda sesa njerëzit e pavaksinuar dhe kjo është shumë e rëndësishme.”

Prodhuesit e vaksinave janë ende duke studiuar nëse vaksinat thjesht i shpëtojnë njerëzit nga të qenit shumë sëmurë, apo i mbrojnë ata plotësisht nga infeksioni.

Nëse jeni asimptomatik, përsëri mund të rezultoni pozitivë

Kjo do të thotë gjithashtu, se edhe nëse jeni të vaksinuar, ju përsëri mund ta përhapni sëmundjen. Kjo është arsyeja pse edhe të vaksinuarit do të duhet të mbajnë maska. Një person mund të jetë një transportues asimptomatik dhe të ketë virusin në rrugët e hundës, kështu që kur ata marrin frymë, flasin ose teshtijnë, mund ta transmetojnë koronavirusin te të tjerët.

Vaksinat nuk funksionojnë në mënyrë retroaktive

Mund të dilni pozitiv sepse jeni infektuar para se të merrni vaksinën dhe thjesht nuk e dinit akoma. Kjo është ajo që ndodhi me disa nga punonjësit e kujdesit shëndetësor në një studim të botuar nga CDC.

Studimi zbuloi se 22 nga 4,081 punonjës të kujdesit shëndetësor të vaksinuar rezultuan pozitivë për Covid-19 pasi morën dozën e tyre të parë.

Një nga autorët e studimit, Dr. Eyal Leshem i Qendrës Mjekësore Sheba në Izrael, tha se ishte e qartë se disa nga punëtorët që rezultuan pozitivë “ishin infektuar me Covid para se të merrnin dozën e tyre të parë”.

Burimi: CNN, Anabel