Pse Aristoteli është ndër personalitetet më të shquara të historisë?

0
310

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë

” i autorit amerikan Majkëll Hart, të trembëdhjetin me radhë e ka Aristotelin.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr XIII Aristoteli

           384-322 p.e.s

Aristoteli është filozofi dhe shkencëtari më i madh i botës antike: Ai ka trajtuar parimin e logjikës formale, ka pasuruar pothuajse çdo pjesë të filozofisë dhe ka një numër të madh meritash për shkencën.

Shumë nga idetë e tij tani janë të vjetruara. Megjithatë, një nga teoritë më konkrete është paraqitja racionale, që ngërthen tërë krijimtarinë e tij. Veprat e tij të shkruara përmbajnë idenë se çdo fushë e jetës njerëzore dhe shoqërore është një objekt më vete për të menduar dhe analizuar; pikëpamjen se gjithësia nuk drejtohet nga ngjarje të pastra, nga diçka magjike apo nga dëshirat e kapriçove natyrore, por nga dukuritë, që u nënshtrohen ligjeve racionale; bindjen se ka njerëz të denjë dhe sistematikë që mund të mësojnë çdo fushë të natyrës duke shfrytëzuar vëzhgimet empirike dhe të menduarit logjik për të arritur në përfundime të sakta. Kjo mënyrë e të arsyetuarit, që është në kundërshtim me tradicionalizmin, besëtytnitë dhe misticizmin, pati ndikim të fuqishëm në civilizimin perëndimor.

Aristoteli u lind në vitin 384 p.e.s., në Stagira, qytet në Maqedoni. Në moshën 17-vjeçare vajti në Athinë për të studiuar në Akademinë e Platonit. Aty qëndroi mbi 20 vjet, pak pas vdekjes së Platonit. Nga i ati trashëgoi interesin për biologjinë dhe shkencat praktike, ndërsa kur ishte te Platoni,iu zhvilluan interesat për mendime filozofike.

Në vitin 342 p.e.s., Aristoteli u kthye në Maqedoni, ku u bë mësues personal i djalit 13 vjeçar të mbretit Filipi II,i cili më vonë do të bëhej mjaft i njohur në histori, me emrin Aleksandri i Madh. Aristoteli i dha mësim Aleksandrit të ri për disa vite me radhë. Në vitin 335 p.e.s., kur Aleksandri hipi në fron, Aristoteli u kthye  në Athinë ku hapi një shkollë të tipit lice. Dymbëdhjetë vitet e fundit i kaloi në Athinë. Kjo periudhë afron me kohën e luftërave të Aleksandrit të Madh.

Aleksandri nuk pranonte këshilla nga mësuesi i tij i  vjetër, por nga ana tjetër ishte zemërgjerë në dhënien e ndihmave materiale për studime shkencore. Ky është me të vërtetë rasti i parë në histori, ku shkencëtari kishte mundësi të shfrytëzonte mjete të shumta shtetërorë për punë kërkimore shkencore. Dhe për shumë kohë do të mbetej edhe rasti i fundit.

Krahas kësaj, lidhja me Aleksandrin kishte edhe anët e veta të rrezikshme: Aristoteli i ishte kundërvënë stilit diktatorial të Aleksandrit. Aleksandri kishte vrarë nipin e Aristotelit me pretekstin e tradhtisë, madje kishte menduar ta ekzekutonte Aristotelin. Megjithatë, edhe pse Aristoteli ishte me mendime demokratike për pikëpamjet e Aleksandrit, të dy ishin lidhur aq ngushtë, sa që athinasit nuk e besonin këtë gjë. Pas vdekjes së Aleksandrit në vitin 323 p.e.s., pushtetin në Athinë e morën kundërshtarët, të cilët e akuzuan Aristotelin si “të pafe”.

Ai kujtoi fatin e Sokratit 78 vjet më parë dhe u largua andej me fjalët: “Athina nuk do të më japë rast të dytë që të flas kundër filozofisë”. Vdiq në internim disa muaj më vonë, në vitin 322 p.e.s., në moshën 62-vjeçare.Krijimtaria vëllimore e Aristotelit është e çuditshme: Nga ajo kanë mbetur 47 vepra, por sipas burimeve historike, ai ka patur së paku 170 libra. Nuk është aq i çuditshëm fakti i numrit të shumtë të veprave se i erudicionit që  është përfshirë në to. Veprat e tij shkencore, në thelb janë enciklopedi e vërtetë e dijeve të asaj kohe. Aristoteli ka shkruar për: astronominë,zoologjinë,embrionologjinë,gjeografinë,gjeologjinë,fizikën,anatominë,fiziologjinë dhe thuajse për çdo  fushë tjetër të shkencës të njohur nga grekët e lashtë. Veprat e tij shkencore paraqesin deri diku përfundime të dijes të marra nga të tjerët, përfundime të nxjerra vetë nga studimet e tij të shumta.

Të jesh drejtues specialistësh i çdo fushe të shkencës është e paparë dhe e padëgjuar, gjë që nuk mund të përsëritet më kurrë. Megjithatë, Aristoteli arriti më tepër se kaq. Ai ishte mendimtar origjinal me merita të shumta e të mëdha për filozofinë. Shkroi për tema të tilla, si ;etika, metafizika, psikologjia dhe estetika; ai shkroi për edukatën, poezinë, për zakonet barbare dhe për kushtetutën e athinasve. Një nga veprat e tij është fjalori për ligjet e shumë shteteve, ku ai bënte një analizë krahasuese.

Puna më e rëndësishme e Aristotelit mund të mos jetë në fushën e teorisë së logjikës, megjithëse ai është i njohur në përgjithësi për këtë pjesë në të vërtetë, karakteri logjik i mendjes së tij i dha mundësi për të dhënë shumë edhe në fushat e tjera. Ai ishte pajisur me aftësinë e të menduarit në mënyrë të organizuar: përfundimet dhe kategoritë që i parashikonte ishin bazë e mendimet e mëvonshme në sfera nga më të ndryshmet. Ai nuk iu nënshtrua misticizmit dhe as ekstremiteve, por i qëndroi besnik zërit të tij të arsyes, mendimit të tij të shëndoshë praktik. Kuptohet, që ka bërë edhe gabime.

Por, e çuditshme është, se ato gabime e pasaktësi janë aq të pakta në tërë atë enciklopedi të tij të gjerë të dijes, sa që mund të mos merren fare parasysh.

Ndikimi i tij në mendimin perëndimor është  shumë i madh. Në kohën e antikitetit dhe në mesjetë veprat e tij u përkthyen në latinisht, në sirishten e vjetër, arabisht, italisht, frëngjisht, në hebraishten e vjetër, gjermanisht dhe në anglisht. Mendimtarët e mëvonshëm grekë, si dhe filozofët e kohës së Bizantit, kur i studium ato, u magjepsën. Veprat e Aristotelit kanë ndikuar shumë në fenë islame. Shekuj me radhë ato kanë mbizotëruar në Evropë. Filozofi ma i njohur arab, Averoes (Mohamet ibi Rushit) ka sintetizuar teologjinë islame me racionalizmin e Aristotelit. Mendimtari më i njohur hebre i mesjetës, Majmonid, ka bërë një sintezë të ngjashme me judaizmin. Megjithatë, vepra më e njohur në këtë fushë është Fjalori Teologjik i shkencëtarit kristian, Thoma Akuinit. Ndikimin e madh të Aristotelit e kanë studiuar edhe shumë shkencëtarë të mesjetës, që është e pamundur të citohen këtu.

Nënshtrimi ndaj autoritetit të padiskutueshëm të Aristolit solli që në mesjetë, të ndaloheshin kërkimet shkencore. Veprat e tij, në vend të ndriçonin rrugën e përparimit, u bënë si një rezidencë zbutëse intelektuale. Aristoteli, i cili vëzhgonte dhe mendonte ashtu siç donte vetë, me siguri nuk do ta pranonte adhurimin e verbër ndaj veprave të tij nga brezat e mëvonshëm.

Sot, ndonjë nga idetë e tij duket si reaksionare. Për shembull, ai përkrahte skllavërinë për arsye se ajo i përmbahej ligjeve të natyrës; besonte pak në vlerat natyrore të grave (të dyja këto ide janë pasqyrim i prirjeve mbizotëruese të kohës). Por, shumë nga pikëpamjet e tij ende edhe sot tingëllojnë si aktuale: “Varfëria është babai i revolucionit dhe i krimeve”, ose “Çdo njeri që mendon se është i aftë për të drejtuar me njerzillëk, është i bindur, se nga edukimi i rinisë varet fati i gjithë perandorisë”.(natyrisht, në kohën e Aristotelit nuk ka patur shkolla të përgjithshme).

Këta shekujt e fundit, ndikimi i autoritetit të tij ka rënë. Por, krahas kësaj, përsëri mendoj, se ndikimi i tij në zhvillimin e historisë njerëzore është i jashtëzakonshëm dhe i thellë.

***

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, katërmbëdhjetë që është Euklidi.