Prishtina – Prishtina 01, finalja e turneut “Adem Jashari”

0
47

Në kuadër të manifestimeve për Epopenë e UÇK-së, sot në kryeqytet, në organizim të Federatës së Futbollit të Kosovës – Komisionit për Futsall, ka filluar turneu tradicional dyditor “Adem Jashari”.

I pranishëm në turne ishte edhe presidenti Agim Ademi, derisa për shkak të rrethanave të pandemisë ndeshjet u zhvilluan pa praninë e tifozëve. Edicionin e 12-të të këtij turneu e shpalli të hapur sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, i cili ndër të tjera theksoi:

“Përkundër sfidës së madhe me të cilën po ballafaqohemi tash e një vit, edhe këtë herë si federatë e kemi vazhduar traditën e përkujtimit të njërës prej figurave më emblematike të kombit tonë – Komandantit Legjendar Adem Jashari. Andaj, në emër të presidentit Ademi dhe KE të FFK-së të gjitha ekipet pjesëmarrëse i falënderoj për pjesëmarrjen dhe u dëshiroj suksese”.

Në ndeshjen e parë gjysmëfinale u ballafaquan Prishtina dhe Drenica Tradita, e ku pas një loje mjaft interesante dhe rivalizuese, fitores iu gëzua skuadra e Prishtinës, me rezultat 3:2. Golat për Prishtinën i shënuan Mërgim Dervishaj (8’), Leandro Monteiro (26’) dhe Melos Kelmendi (36’), ndërkaq për Drenica Traditën shënuan Rrustem Dobraj (16’) dhe Fatlum Pishtani (36’ag).

Edhe ndeshja tjetër gjysmëfinale ndërmjet Prishtinës 01 dhe Pejës ishte mjaft interesante dhe me kthesa të shumta në rezultat, ku në fund fitores dhe kalimit në finale iu gëzuan lojtarët e Prishtinës 01, me shifrat 5:4. Golat për Prishtinën 01 i shënuan Durim Qorri (15′), Fitim Krasniqi (21′), Shpat Hashani (26′), Bardh Kelmendi (36′) dhe Oso Gjinovci (39′), derisa golat për pejanët i realizuan Albert Nikolla (12′), Egzon Vokshi (25′) dhe Ylli Mazreku (29′ e 30′).

Kësisoj, në finalen e turneut “Adem Jashari”, që zhvillohet nesër (e premte), në orën 18:00, do të takohen Prishtina – Prishtina 01.