Përurohet shtatorja e Heroit Ahmet Krasniqi

0
104

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, mori pjesë në përurimin e shtatores së Heroit Ahmet Krasniqi, si dhe në inaugurimin e sheshit, i cili do të mbajë emrin e tij.

Në vazhdim, po e japim të plotë fjalën e kryeministrit Avdullah Hoti:

Përtej simbolikës së zakonshme të nderimit të një njeriu si Ahmet Krasniqi, ky akt nënkupton rikthimin e tij ngadhënjyes në vendlindje, te njerëzit e vet, që e duan dhe e njohin si komandant të parë të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, si nismëtar institucional i luftës për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Prandaj, dita e sotme, për të gjithë ne, për të gjithë ata që ia duan të mirën Kosovës, shënon rilindjen shpirtërore të Kolonel Ahmet Krasniqit, shënon kthimin e tij përfundimtar ndër ne, ashtu siç ishte ai në jetë, i urtë, vizionar, profesionist i shkëlqyeshëm ushtarak, njeri i fjalës dhe i sakrificës.

Të dashur vushtrrias,

Zonja e zotërinj,

Nata e 21 shtatorit të vitit 1998 ishte tragjike për familjen Krasniqi, për luftëtarët e lirisë së Kosovës dhe për mbarë kombin shqiptar. Vrasja tinëzare e kolonel Ahmet Krasniqit ishte goditje e tmerrshme ndaj përpjekjeve që po i bënin institucionet e Republikës së Kosovës që lufta për liri të udhëhiqej nga atdhetarë të dëshmuar e nga ushtarë profesionistë.

Janë pikërisht këto dy cilësi, atdhetarizmi dhe përgatitja ushtarake, ishin halë në sy për kundërshtarët e tij, për kundërshtarët e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Ahmet Krasniqi, i brumosur me ndjenjat më të larta të atdhedashurisë, i rritur në gjirin e familjes së patriotit Aziz Zhilivoda, bashkëpunëtor i afërt e patriotit të devotshëm Metush Krasniqi, ishte pjesëmarrës aktiv në demonstratat studentore të vitit ‘68. Gjatë viteve të karrierës ushtarake mbrojti me dinjitet kauzën e lirisë së Kosovës. Dallgët e asaj kohe kaotike, kur ish-federata tashmë po zhbëhej, e çuan edhe në Kroaci, ku ai iu bashkua luftës së popullit kroat. Me të mbaruar lufta atje, ai vihet në kontakt me Qeverinë e Republikës së Kosovës, e cila e emëroi Ministër të Mbrojtjes dhe Komandant të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Kosovës, detyrë të cilën Ahmet Krasniqi e kreu me nder deri në frymën e fundit.

Të nderuar pjesëmarrës,

Më lejoni që këtë fjalë timen ta përfundoj duke cituar Presidentit historik të Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, i cili, më 21 shtator 2003, në pesë vjetorin e rënies së Kolonel Ahmet Krasniqi, ndër të tjera, theksonte: “Kolonel Ahmet Krasniqi punoi me devotshmëri dhe përkushtim në formimin dhe forcimin e forcave mbrojtëse të Kosovës, në kuadër të institucioneve legale të vendit tonë. Me kulturën e tij ushtarake, kolonel Krasniqi punoi në krijimin e një ushtrie me aftësi të fuqishme mbrojtëse dhe të disiplinuar, çfarë i duhej një vendi, prandaj i shprehim nderimin tonë për këtë. Kolonel Krasniqi ishte njeri i matur, burrë trim dhe ushtarak i rryer. Në jetë ishte burrë i urtë dhe mbushte jetën e tij me interesime e pasione për letërsinë dhe artin.”

Zoti e bekoftë Kolonel Ahmet Krasniqin, familjen e tij!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!