Papa Françesku thotë se Shqipëria është vend me histori të lavdishme

0
61

Papa Françesku ka pritur sot një grup pelegrinësh shqiptarë, të cilët ndodhen në Romë me rastin e përkujtimit të 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

“Gjatë fjalimit të tij drejtuar pelegrinëve shqiptarë, Papa Françesku shfrytëzoi rastin për të përshëndetur të gjithë shqiptarët “në emër të lidhjes së lashtë të miqësisë dhe marrëdhënieve të përhershme”, njoftoi Vatikani.

Një histori e lashtë dhe e lavdishme

Papa Françesku vuri në dukje “historinë e lashtë dhe të lavdishme” të Shqipërisë, duke theksuar se ”vendi është një pjesë integrale e Europës, me kulturën e tij unike”. “Sot, ne kujtojmë dhe festojmë 550-vjetorin e Gjergj Kastriot Skënderbeut, një bir heroik i një populli të fortë dhe bujar, i cili mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë”, tha ai.

“Skënderbeu, sjell identitetin kulturor shqiptar përmes veprave të tij, duke u bërë një simbol i padiskutueshëm i kohezionit dhe unitetit kombëtar”, vazhdoi ai.

Gjithashtu, Ati i Shenjtë foli për emigrimin e shumë të krishterëve pas vdekjes së Skënderbeut dhe pushtimin e mëvonshëm të Shqipërisë dhe përshëndeti praninë e italo-shqiptarëve në mesin e pelegrinëve.

Angazhim i ri ndaj zhvillimit

”Unë besoj sinqerisht se ky përvjetor nuk do të kufizohet vetëm te festimet e lavdisë së akteve heroike të së kaluarës”, tha Papa, ”por, do të jetë gjithashtu një mundësi e mirë për një angazhim të ri të të gjithëve, institucioneve dhe qytetarëve, në favor të një zhvillimi autentik dhe të balancuar, që brezi i ri të mos detyrohet të migrojë”.

Nga bashkëjetesa te bashkëpunimi dhe vëllazërimi

“Shembulli i Skënderbeut”, tha Papa Françesku “ka shprehur qartë karakterin shqiptar”. “Në veçanti, theksoi ai, klimën e respektit dhe besimit reciprok ndërmjet katolikëve, ortodoksëve dhe myslimanëve”. “Kjo, tha ai, tregon se bashkëjetesa paqësore e qytetarëve që u përkasin besimeve të ndryshme është e vetmja rrugë e suksesshme që prodhon harmoni dhe çliron forcat më të mira dhe kreativitetin e një populli të tërë, duke transformuar bashkëjetesën e thjeshtë në një bashkëpunim dhe vëllazëri të vërtetë”./Atsh/OxygenPress.info

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu