OBSH: Vaksina antiCOVID-19 një avancim historik për kontrollin e pandemisë

0
90

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë përshëndeti sot shpejtësinë historike me të cilën po zhvillohet gara për vaksinat kundër koronavirusit, por kërkoi që çdo avancim shkencor të jetë përfitues për të gjitha vendet.

“Nuk ka asnjë dyshim se një vaksinë do të jetë një mjet thelbësor për të kontrolluar pandeminë dhe ne jemi të inkurajuar nga rezultatet paraprake të provave klinike të publikuara këtë javë nga Pfizer dhe BioNTech”, theksoi Tedros Adhanom Ghebreyesus në mbyllje të asamblesë vjetore të OBSH-së.

Më pak se një vit pasi zyra e OBSH-së në Kinë njoftoi shfaqjen e sëmundjes në fund të dhjetorit, laboratorët amerikan Pfizer dhe gjerman BioNTech njoftuan për një vaksinë efikase me 90% kundër COVID-19, sipas rezultateve paraprake.

“Kurrë në histori, kërkimi mbi vaksinat nuk ka progresuar kaq shpejt”, nënvizoi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së.

“Ne duhet të tregojmë të njëjtën urgjencë dhe të njëjtën frymë inovacioni për të siguruar që të gjitha vendet të përfitojnë nga ky përparim shkencor”, shtoi ai.

Pandemia e koronavirusit të ri ka shkaktuar të paktën 1,28 milionë të vdekur dhe më shumë se 52 milionë raste infektimi të diagnostikuara zyrtarisht që prej fillimit të pandemisë, prej të cilave të paktën 33,5 milionë konsiderohen sot të shëruar./ATSH