OBSH thotë se mbajtja e maskës gjatë këtyre ditëve edhe brenda shtëpisë është shumë e rëndësishme

0
305

Ata që do të mblidhen me të afërmit e tyre, duhet të festojnë në hapësira të hapura ose në të kundërt të mbajnë maska edhe në shtëpi. Ambienti duhet të jetë ajrosur mirë, pasi grumbullimet e festave përbëjnë rrezik edhe më të madh. Kjo ishte këshilla e fundit që OBSH-ja i ka bërë europianëve, duke i kujtuar se mbajtja e maskës gjatë këtyre ditëve edhe brenda shtëpisë është shumë e rëndësishme.

Përveç kësaj, këshillat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përfshinin një larmi çështjesh që kanë lidhje me mënyrën si duhet të festojmë këtë vit, udhëtimet dhe sjelljen tonë gjatë atyre ditëve raporton The Guardian.

Sipas tyre, eventet publike, si “Fshati i Krishtlindjeve” apo festimet në kishë duhen shtyrë ose anulluar për shkak të nivelit të rrezikut që mbartin. Rekomandimi i tyre për shërbesat fetare është të mbahen në ambiente të hapura si dhe të limitohen në numër dhe kohëzgjatje.

“Nëse festoni brenda shtëpisë, limitoni numrin e grupit dhe sigurohuni që ambienti të jetë i ajërosur mirë. Tingëllon e çuditshme, por duhet të mbani maska dhe të qëndroni larg njëri tjetrit edhe pse jeni brenda një shtëpie. Të afërmit të cilët janë më të riskuar ndaj Covid-19 mos i takoni, për të mos i kërcënuar shëndetin.”- shkruhet në njoftimin e OBSH.
Ndërkohë një pjesë e mirë e vendeve të Europës kanë shtuar masat kufizuese për periudhën e Krishtlindjeve me qëllim reduktimin e përhapjes së Covid-19.