Më në fund edhe ndeshje zyrtare Kosovë – Shqipëri

Kosova dhe Shqipëria do të përballen edhe në ndeshje zyrtare. Kjo do të ndodhë në kualifikimet për Kampionatin Evropian për U-21.

Në shortin që është hedhur të martën, Kosova dhe Shqipëria janë vendosur në Grupin 3, në të cilin janë edhe: Anglia, Austria, Turqia e Andorra.

Shqipëria dështoi në kualifikueset e fundit, duke grumbulluar vetëm 7 pikë nga 30 të mundshme dhe duke shënuar vetëm 9 gola.

Ndërkaq, Kosova shkëlqeu në kualifikueset e saj të para, sepse grumbulloi 12 pikë në 10 ndeshje, duke qenë vetëm 3 pikë larg vendit të dytë.

Të dyja skuadrat kanë talente të mëdha dhe do jenë përballje mjaft të bukura, nga ato që mbushin stadiumet.

Në bazë të rregullores, kombëtarja që fiton grupin kualifikohet automatikisht për në fazën finale. 8 skuadrat e vendeve të dyta që kanë më shumë pikë në grup duke përjashtuar përballjet me vendet e gjashta, do të ndeshen mes tyre për të përcaktuar edhe 4 kombëtare që shkojnë në fazën finale.

Hungaria dhe Sllovenia, si vende organizatore, kualifikohen për në fazën finale pa marrë pjesë në kualifikuese.

Kualifikueset e Europianit do të nisin më 18-20 mars./OxygenPress.info