Më 25 nëntor pritet të fillojë rigjykimi ndaj Ilir Tolaj dhe të tjerëve

0
207

Me 25 nëntor pritet të dalin sërish para drejtësisë Ilir Tolaj, Bekim Fusha, Zenel Kuqi, Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi dhe Florije Tahiri, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Lajmin për Drejtësia Sot, e ka konfirmuar zyrtari për informim i Gjykatës së Apelit, i cili theksoi se seanca e planifikuar për tu mbajtur sot ka dështuar për arsye procedurale. Në këtë drejtim gjyqtari raportues Abdullah Ahmeti, caktoi seancën e radhës me datë 25 nëntor me fillim nga ora 10:00.

Kujtojmë që kjo cëshje penale me vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës është kthyer në rigjykim dhe rivendosje gjykatës së shkallës së dytë, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Gjykata Themelore e Prishtinës – Departamenti për Krime të Rënda, me vendimin Pkr.nr.382/2015, kishte liruar nga akuza të pandehurit për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ndërkaq Gjykata e Apelit me aktgjykimin PAKR.nr. 459/2018, kishte aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë Speciale duke ndryshuar kështu aktgjykimin e shkallës së parë, ashtu që kishte dënuar Ilir Tolaj, me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 3 (tri) vite, Bekim Fusha me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite e 4 (katër) muaj, Zenel Kuqi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite e 8 (tetë) muaj.

Kurse të akuzuarat Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi dhe Florije Tahiri, janë gjykuar secila veç e veç me dënim me kusht burgimi në kohëzgjatje prej nga 6 (gjashtë) muaj të cilat dënime nuk do të ekzekutohen nëse brenda periudhës prej 1 (një) viti nga koha kur aktgjykimi merr formën e prerë nuk kryejnë vepra tjera penale.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Ilir Tolaj, në cilësinë e Sekretarit të Përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), Bekim Fusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Departamentit Farmaceutik në MSH dhe Zenel Kuqi në cilësinë e menaxherit të prokurimit në MSH, akuzohen se gjatë periudhës kohore 23 maj 2011 deri më 31 dhjetor 2011, duke keqpërdorur pozitën e tyre zytrare në bashkëveprim i kanë sjellë përfitime kompanisë “KMI” SHPK Drenas në vlerë prej 400 mijë euro.

Prokuroria pretendon se ata kanë shkelur Ligjin për Prokurim Publik përgjatë lidhjes së kontratës me kompaninë “KMI”, kontratë kjo me vlerë totale prej 1.714.953.74 euro.

Prokuroria Speciale gjithashtu akuzon edhe anëtaret e Komisionit të Mbikëqyrjes së Ekzekutimit të kontratës, Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi dhe Florije Tahiri, me pretendimin se të njëjtat i kanë mundësuar kompanisë “KMI” të bëj manipulim me sasinë e barërave./DrejtësiaSot