Malli –  poezi nga Lasgush Poradeci 

0
1735

Syri i bukur që t’u mvrenjt

Syri yt që më lëndon

Do më lërë a von a shpejt,

Do më lërë a shpejt a von.

 

Sapo shpirti m’u delir

Shpirti im i nxirë krejt

Do më lërë me pahir

Syri i bukur që t’u mvrenjt

 

E do mbetem përnjëmend

Varfanjak si mbret pa fron:

Mbretëresha që më çmend

Do më lërë a shpejt a von

 

Do më lërë a von a shpejt,

Do më lërë a shpejt a von,

Syri i bukur që t’u mvrenjt

Syri yt që më lëndon.

 

Do më lërë…A! por si

Qoftë aherë ose tani

Do të qaj aq dashuri

Që do humb me mall te ti?

 

Mua mendja s’m’a kupton,

Mua syri s’ma vështron,

Po fillon edhe vajton,

E kullon, kullon, kullon:

 

Mall! o mall! që vjen e shkon!

 

Vjen e shkon e prapë vjen,

Mall që len nga perëndon:

Len e vjen e zjen e bren:

Malli mallin më s’e gjen…/OxygenPress.info

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu