Kosova U21 dhuron spektakël në “Fadil Vokrri” kundër turqve, merr kryesimin e Grupit të 3-të

0
49

Kombëtarja U21 e Kosovës e ka realizuar fitoren e dytë radhazi në po aq ndeshje në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2021.

Dardanët e rinj të drejtuar nga Rafet Prekazi, e kanë mposhtur Turqinë, të martën në mbrëmje, në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet në praninë e rreth 8 mijë shikuesve, me rezultat 3:1. Kjo fitore ia ka mundësuar Dardanëve që ta rrëmbejnë pozitën e parë në Grupin e 3-të, me 6 pikë. Kosova U21 dhuroi spektakël me lojë e rezultat, derisa kundërshtarëve u dha leksion.

Mbizotërimi i  Dardanëve rezultoi me golin e epërsisë në minutën e 45-të nga Arbenit Xhemajli. Megjithatë, me të nisur pjesa e dytë pas vetëm 20 sekondash mysafirët e shfrytëzuan një shpërqendrim të lojtarëve tanë, duke i barazuar shifrat në 1:1, nëpërmjet Halil Dervisoglut.

Ky gol nuk e zbrazësi dëshirën e flaktë të futbollistëve tanë për fitore, të cilët falë edhe mbështetjes së tifozëve arritën që në minutën e 72-të ta rikthejnë epërsinë me golin e Mirlind Dakut. Pas këtij goli Dardanët patën edhe disa raste shumë të mira, në njërën prej të cilave ishte tërthorësja që ia mohoi golin. Mirëpo, goli i qetësisë erdhi në minutën e 90-të, kur Lirim Kastrati realizoi për festën dardane dhe për rezultatin përfundimtar 3:1.

Pas ndeshjes djemtë e rinj dardanë dhe stafin e trajnerëve në krye me Rafet Prekazin i ka përgëzuar në zhveshtore presidenti Agim Ademi me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, derisa nga afër ua ka përcjell urimet edhe përzgjedhësi Bernard Challandes.