Kosova e mbyll me fitore edicionin e Ligës së Kombeve, siguron qëndrimin në Ligën C

0
62

Kombëtarja e Kosovës e ka mbyllur me fitore edicionin e sivjetmë të Ligës së Kombeve në Ligën C, duke e mposhtur Moldavinë, në stadiumin “Fadil Vokrri” me rezultat 1:0. Fitoren e Dardanëve në këtë takim e vendosi goli i Lirim Kastratit në minutën e 31-të.

Në këtë mënyrë Kosova i dha fund serisë pa fitore, duke e mbyllur këtë vit të vështirë si pasojë e pandemisë Covid-19, me një sukses i cili rrit moralin e ekipit për sfidat në pranverën e ardhshme me kualifikimet e Botërorit 2022 dhe njëherësh siguron qëndrimin në Ligën C edhe në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.

Edhe në këtë takim Moldavia u tregua rival i papërshtatshëm, por Dardanët arritën që ta menaxhojnë mirë lojën dhe epërsinë e krijuar, ndonëse nga minuta e 85-të luajtën me një lojtar më pak, kur Ibrahim Dresheviq u ndëshkua me karton të kuq.