“Ka njerëz me probleme “të vërteta”, e unë i ankohem psikologut tim për enët”

0
97

Kur isha në një nga pikat më kritike të jetës sime, kisha ditë kur nuk mund të ngrihesha nga krevati. Nuk kisha energji as motivim dhe mezi i dilja ditës në krye. Një herë në javë kisha terapi me psikologun, dhe këtë javë nuk kisha shumë gjëra për të thënë. Ai më pyeti si më kishte kaluar java dhe unë nuk dija çfarë të them.
“Me çfarë ke vështirësi?” më pyeti.
Bëra me dorë rreth meje dhe thashë “Nuk e di. Me jetën.”
I pakënaqur me përgjigjen, ai më tha “Jo, për çfarë je e brengosur për momentin? Çka të duket e lodhshme? Kur të shkosh në shtëpi prej këtu, cila gjë të pret?”
Unë e dija përgjigjen, por ishte aq qesharake sa nuk doja ta thoja.
Doja të them diçka më të rëndësishme.
Më domethënëse.
Por nuk kisha.
Kështu që i thashë. “Sinqerisht, enët. Është qesharake, e di, por sa më shumë i shikoj, aq më shumë nuk mund të çohem t’i laj, sepse më duhet t’i pastroj para se t’i vë në makinën e larjes, dhe e urrej pastrimin e enëve.”
Ndihem si idiote veç nga fakti që po e them këtë.
Cila grua e rritur mposhtet nga një grumbull enësh? Ka njerëz me probleme “të vërteta”, e unë i ankohem psikologut tim për enët.
Por, psikologu im pohoi me mirëkuptim dhe pastaj tha:
“LËSHOJE MAKINËN DY HERË.”
Unë nisa t’i them që nuk guxon ashtu, por ai më ndaloi.
“E pse nuk guxon? Nëse nuk do t’i pastrosh enët dhe makina nuk lanë mirë, lëshoje dy herë. Lëshoje tri herë, kujt i bëhet vonë?! Rregullat nuk ekzistojnë, kështu që mos ia vendos vetes.”
Kjo ma tronditi mendjen në aso mënyre që nuk mund ta shpreh si duhet.
Atë ditë, shkova në shtëpi dhe i vendosa si munda enët në makinë dhe e lëshova tri herë.
U ndjeva sikur ta kisha mposhtur një dragua.
Të nesërmen, bëra dush duke qëndruar shtrirë.
Disa ditë më vonë, i palosa rrobat dhe i vura kudo që pati vend.
Nuk ka më rregulla arbitrare që duhej t’i ndiqja, dhe kjo ma dha lirinë për të arritur gjëra përsëri.
Tani që jam më mirë, i pastroj enët dhe i vendosi në makinë si duhet. Bëj dush në këmbë. I kategorizoj rrobat.
Por në një kohë kur jeta ishte e vështirë, e mësova një mësim shumë të rëndësishëm: NUK KA RREGULLA.
LËSHOJE MAKINËN DY HERË.
@Gratë