“Inter” rrezikon pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve

0
49

Kriza te “Interi” duket sikur nuk ka fund. Mbrëmjen e të shtunës skuadra e drejtuar nga tekniku Luciano Spalleti është mundur nga “Cagliari” me rezultatin 2-1. Gjithçka u vendos në pjesën e parë, Perisiç autogol në minutën e 31’, barazim i Martinez në minutën e 38’ dhe sërish gol për vendasit nga ana e Pavoletit, dy minuta para përfundimit të fraksionit të parë të lojës.

Kjo humbje i dha një shuplakë të rëndë “Interit”, që tashmë rrezikon seriozisht pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. “Milan” dhe “Roma” kanë të shtunën (sot) një shans të artë për të parakaluar zikaltërit. Kështu, kuqezinjtë e drejtuar nga Gattuso në rast se mundin “Sassuolon” në “San Siro” do ti rrëmbejnë “Interit” vendin e tretë, teksa verdhe-kuqtë e Di Franceschos, nëse mundin në derbi “Lazion” do të barazonin me pikë skuadrën e Spalletit. Ky i fundit duket dhe në prag të shkarkimit, duke qenë se rezultatet e fazës  së dytë të kampionatit Italian të futbollit kanë qenë tejet zhgënjyese.

Mediat italiane bëjnë me dije se drejtuesit e “Interit” kanë nisur të shohin për rreth për të gjetur zëvendësuesin, teksa vetë Spalleti është shprehur se ka besim se skuadra do të ri-gjejë qetësinë e munguar.

Këtë fundjavë luhet java e 26-të e Seria A dhe epilogu saj do të jetë me krye sfidën e të dielës “Napoli-Juventus”, ndërsa mbrëmja e sotme, do jetë mbrëmja e derbit roman, “Lazio-Roma”. Sakaq, “Juventus” kryeson Seria A me 13 pikë avantazh ndaj “Napolit”, ndërsa tashmë gara për vendin e tretë është gjithnjë e më e bukur.

 

Klasifikimi i 6-të pozicioneve të para:

 

Juventus 69 Pikë

Napoli 56 Pikë

Inter 47 Pikë

Milan 45 Pikë

Roma 44 Pikë

Lazio 38 Pikë

-Inter ka një ndeshje më shumë/ ATSH/OxygenPress.info