Hapet edicioni “Javët e Frankofonisë”, mundësi për qasje në kulturën frankofone

0
101

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, si koordinatore vendore e rrjetit të Frankofonisë në Kosovë, së bashku me Ministrinë e Kulturës dhe përfaqësitë diplomatike të Francës, Belgjikës, Luksemburgut dhe Zvicrës, të enjten, në Prishtinë, bënë hapjen zyrtare të edicionit të radhës, të 20-të, të manifestimit “Javët e Frankofonisë” në Kosovë.

Me këtë rast, Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës, z. Glauk Konjufca, tha se e ka për nderë, që si nikoqir, të bëj hapjen zyrtare të edicionit “Javët e Frankofonisë”, duke pasur parasysh se gjuha frënge dhe kultura frankofone gëzojnë interes të veçantë në shoqërinë kosovare, si gjuhë e kulturës dhe artit, por edhe gjuhë e Deklaratës së të drejtave të njeriut. Kjo, tha Ministri, është mundësi shumë e mirë për t’ju dhënë qytetarëve të Kosovës qasje më të lehtë që përmes muzikës, letërsisë, filmit dhe aktivitetve tjera, të ushqejnë dashurinë e tyre për gjuhën frënge dhe kulturën frankofone.

“Kosova rikonfirmon përkushtimin e saj në promovimin e vlerave të përbashkëta të paqes, demokracisë, të drejtave të njeriut dhe respektimit dhe ruajtjes së diversitetit, sidomos atij gjuhësor. Kjo shprehet edhe me rritjën e shumës së subvencionit që i jepet Aleancës franceze për 10 për qind, duke e bërë Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, së bashku me Ministrinë e Kulturës dhe ambasadat frankofone në Kosovë, partner kyç në organizimin e aktiviteteve që kanë për qëllim promovimin e frankofonisë në Kosovë gjatë gjithë vitit”, tha z.Konjufca.

Ambasadorja e Frances, znj. Marie-Christine Butel, që mori fjalën pas Ministrit, falënderoi Ministrinë e Jashtme, vendet dhe rrjetet frakofone, për programin e larmishëm që kanë propozuar këtë vit. “Uroj që këto aktivitete të ndryshme t’ju lënë mbresa dhe të kënaqeni me kulturën frankofone”, tha ambasadorja Butel, e cila tregoi në pika të shkurtra se përveç promovimit të të drejtave të njeriut, gjatë këtij edicioni do të promovohet edhe muzika e këngëtares Era Muçolli, filmat e aktores Arta Dobroshi, dhe natyrisht siç tha ajo, promovimi i gjuhës dhe letërsisë frënge.

Nga ana e tij, shefi i misiot të Belgjikës në Republikën e Kosovës, z. Jean-Louis Servais, tha se këto javë dëshmojnë se lidhjet e Kosovës me vendet frankofone janë evidente, miqësore dhe vëllazërore. “Janë lidhje për një identitet të vlerave të përbashkëta frankofone dhe evropiane”, tha diplomati belg, duke kujtuar se frëngjishtja është vektor i rëndësishëm për Kosovën edhe në rrugën e saj të integrimit, të korrjes së njohjeve të reja, si dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar.

Ndërsa E Ngarkuara me Pune në Ambasadën e Luksemburgut në Prishtinë, znj. Natacha Gomes, u fokusua më shumë tek të drejtat e njeriut dhe barazia gjinore. Ajo tha se frankofonia nuk ka të bëjë vetëm me gjuhën frënge, por siç tha ajo, ka të bëjë edhe me vlerat kulturore dhe demokratike. “Prandaj, këtë vit jemi fokusuar tek të drejtat e grave dhe të vajzave, sepse diskriminimi gjinor në vitin 2020, është i papranueshëm për neve”, tha znj. Gomez.

Hapjen e edicionit “Javët e Frankofonisë”, e ka përshëndetur po ashtu edhe Ministrja e Kulturës, znj. Vlora Dumoshi. Ajo tha se është e nderuar që është pjesëmarrëse në hapjen e këtij edicioni, dhe se institucionet e Republikës së Kosovës, së bashku me Ambasaden e Francës dhe vendet tjera frankofone, do të vazhdojnë të forcojnë edhe më shumë lidhjet me kulturën frankofone.

Republika e Kosovës është pjesë e Organizatës Botërore të Frankofonisë (OIF) prej nëntorit, 2014. Në Samitin e 17-të të Frankofonisë, që u mbajt në tetor të vitit 2018, në Jerevan të Armenisë, shtetet anëtare të OIF-it votuan unanimisht që Kosovës t’i avancohet statusi në këtë organizatë, nga ai vëzhgues në anëtar i asociuar.