Gjykata e Pejës dënon me 400 euro gjobë reperin Gjiko për armëmbajtje pa leje

0
173

Gjykata e Pejës-Departamenti i Krimeve të Rënda, këtë të martë ka dënuar të akuzuarit Asdren Gjikolli, i njohur si (Gjiko) dhe Valon Alija, për veprën penale armëmbajtje pa leje, raporton Drejtësia Sot.

Sipas aktgjykimit të shpallur sot nga gjyqtari Sami Sharraxhiu, të akuzuarit secili veç e veç janë dënuar me nga 400 euro gjobë të cilat obligohen ti paguajnë në afat prej 30 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit në të kundërtën i njëjti dënim do të iu zëvendësohet me dënim me burg.

Po ashtu ndaj të akuzuarve është shqiptuar edhe dënimi plotësues konfiskimi i armëve.

Vlen të përmendët se të akuzuarit kishin lidhur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë e Pejës, në praninë e mbrojtësve të tyre ku edhe ishin pajtuar që ndaj tyre të shqiptohet dënim me gjobë në shumë prej 400 deri në 500 euro si dhe të iu konfiskohen armët.

Kështu edhe në seancën e shqyrtimit të sotëm të akuzuarit Gjikolli dhe Alija, deklaruan se qëndrojnë në tërësi pranë marrëveshjes se pranimit të fajësisë.

Ndryshe sipas aktakuzës dispozitivi i parë e ngarkon të pandehurin Asdren Gjikolli, i cili në kohë të panjohur e në vazhdimësi gjerë me datën 08.10.2019 në parkingun e Restaurantit Univers në Pejë, mban në pronësi armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm dhe atë me nenin 5 paragrafi 1.

Gjithnjë sipas aktakuzës i pandehuri pa autorizim merr në posedim armën me gaz dhe më të njëjtën shtinë në ajër disa herë gjatë një ahengu familjar, të njëjtën armë më datën 21.10.2019, iˈa konfiskojnë Polica e Kosovës, së bashku me dy karikator dhe një fishek me gaz, pasi kishin siguruar një video të postuar në rrjetin social instagram ku i dyshuari shihet duke shtënë me të njëjtën.

Ndërsa me dispozitivin e dytë të aktakuzës ngarkohet i pandehuri Valon Alija, i njëjti në kohë të panjohur e në vazhdimësi gjer me datën 08.10.2019 në parkingun e Restaurantit Univers në Pejë, mban në pronësi armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm dhe atë me nenin 5 paragrafi 1.

Në atë mënyrë që i pandehuri Alija, pa autorizim merr në posedim armën me gaz dhe më të njëjtën shtinë në ajër disa herë gjatë një ahengu familjar, të njëjtën armë më datën 21.10.2019, iˈa konfiskojnë Polica e Kosovës, së bashku me dy karikator, pasi kishin siguruar një video të postuar në rrjetin social instagram ku i dyshuari shihet duke shtënë me të njëjtën./DrejtesiaSot