Futbollistet e Wolfsburgut të pamëshirshme ndaj Mitrovicës

0
80

Kampionia e Kosovës në futbollin e femrave, Mitrovica, ka pësuar humbje në ndeshjen e parë të 1/16 së finales në Ligën e Kampionëve në duel me kampionen e Gjermanisë, Wolfsburgun, me rezultat të thellë 0:10.

Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në praninë e disa qindra tifozëve.

Që nga fillimi i ndeshjes u pa qartë se gjermanet nuk do ta kenë fare problem fitoren, duke pasur parasysh se ishin në një nivel dukshëm më të lartë të cilësisë se sa mitrovicaset.

Harder me tre gola, Claudia Neto dhe Maritz me nga dy dhe Rauch, Huth dhe Minde me nga një gol u treguan të pamëshirshme për portën e mitrovicasve, të cilat gjatë 90 minutave nuk arritën të kërcënojnë asnjëherë portën e mysafireve.

Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 25 shtator dhe ajo do të shërbejë vetëm sa për statistika, ngase tashmë dihet skuadra e cila do të kalojë tutje në 1/8 e finales.

Sidoqoftë, vetë përfshirja e Mitrovicës në mesin e 32 ekipeve më të mira të Evropës është sukses historik, prandaj një humbje si kjo ndaj një klubi gjigant, i cili ka qenë katër herë në finale të Championsit në 6 vitet e fundit, nuk duhet t’i zhgënjejë kampionet tona, por duhet t’iu shërbejë si motivim për punë edhe më të madhe në të ardhmen.