Feronikeli fiton edhe Digitalb Kupën e Kosovës

0
136

Feronikeli ka triumfuar në finalen e Digitalb Kupës së Kosovës në futboll, duke e mundur Trepçën’89, me rezultat bindës 5:1, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet. Kësisoj, vetëm pesë ditë pasi u kurorëzua me titullin e kampionit në IPKO Superligë skuadra nga Drenasi iu gëzua edhe trofeut të dytë, duke e mbizotëruar plotësisht futbollin kosovar në këtë edicion. Që nga fillimi i ndeshjes Feronikeli e mbizotëroi lojën, duke qenë shumë më efikas në realizimin e aksioneve. Shifrat i zhbllokoi Astrit Fazliu me një supergol nga distanca, në minutën e 15-të.

Ndërkohë, nuk vonoi as goli i dytë, të cilin e realizoi Mendurim Hoti, në minutën e 27-të, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë. Në vazhdim të ndeshjes mitrovicasit u përpoqën të bëjnë presion drejt kundërshtarit, por pa forcën e duhur për të ndryshuar gjërat. Loja e hapur e Trepçës’89 ia mundësoi Feronikelit që të jetë edhe më kërcënues për portën e Beqirit. Epërsinë në 3:0 e shtoi Albutrint Morina (67’), derisa vetëm katër minuta më pas Kastriot Rexha shënoi për 4:0. Ndërkohë, në minutën e 73-të, Ardian Muja shënoi golin e ngushëllimit për Trepçën’89 para se Kastriot Rexha të shënojë edhe një herë në minutën e 90-të për rezultatin përfundimtar 5:1.

Në këtë mënyrë Feronikeli regjistroi rekord sa i përket futbollit të Kosovës, duke u bërë skuadra e parë që arrin të fitojë dy herë kurorën e dyfishtë. Suksesit të sotëm të Feronikelit iu ka gëzuar edhe Prishtina, e cila si nënkampione do të luajë në Europa League. Ndeshjen finale nga afër e ndoqën edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe personalitete tjera të shumta.

Në fund medaljet për dy skuadrat finaliste i ndanë presidenti i FFK-së, Agim Ademi, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, ministri i sportit, Kujtim Gashi dhe drejtori i Digitalbit për Kosovë, Jonader Bejo, derisa kupën e pranoi kapiteni Lapidar Lladrovci.

Trepça’89 – Feronikeli       1:5
Stadiumi “Fadil Vokrri”
Gjyqtarë: G. Nuza, F, Berisha, B. Selimaj dhe B. Kasumi
Trepça ’89: Beqiri, Pira, Basriu, Kaqiku, Mersini, Maloku, Jashari, Traore, Hoti, Hyseni, Herman. Trajner: Veton Çitaku
Feronikeli: Troshupa, Islami, Lladrovci, Prekazi, Hoxha, Dabiqaj, Morina, Fazliu, Hoti, Da Silva, Rexha. Trajner: Zekirija Ramadani