Drita përforcon pozitën e parë, Trepça’89 lëshon pikë të rëndësishme ndaj Vushtrrisë

0
44

Janë zhvilluar tri ndeshjet e fundit të javës së 29-të në Ipko Superligë.

Skuadra kryesuese, Drita ka vazhduar serinë e fitoreve, duke e mundur Feronikelin, me rezultat 2:1, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin e qytetit në Gjilan. Kësisoj, Drita e ka përforcuar pozitën e parë në renditje, me pesë pikë më shumë se ndjekësi më i afërt, Ballkani, kur kanë mbetur edhe katër javë deri në mbyllje të këtij kampionati.

Golat për Dritën i shënuan Erjon Vucaj (35’) dhe Fidan Gërbeshi (67’-pen), derisa golin e barazimit të përkohshëm për Feronikelin e realizoi Besmir Bojku (55’). Befasinë e kësaj jave e përgatiti Vushtrria, e cila ndonëse tashmë i ka humbur shpresat për mbijetesë arriti t’ia marrë një pikë Trepçës’89 në stadiumin “Riza Lushta” (1:1), duke ia vështirësuar dukshëm skuadrës mitrovicase punët për sigurimin e mbijetesës.

Vushtrria kaloi në epërsi me golin e Drilon Fazliut në minutën e 78-të, teksa Trepçën’89 nga humbja e shpëtoi Arb Manaj, me golin e shënuar në minutat e shtesë. Ndërkaq, skuadra tjetër në garë për mbijetesë, Flamurtari ka shënuar fitore në duel me Dukagjinin, me rezultat 4:3, duke u ngjitur kësisoj në pozitën e gjashtë në renditje.