Drita bindëse ndaj Drenicës

0
49

Sot është zhvilluar një ndeshje në kuadër të javës së 20-të në Ipko Superligë, ndonëse ishin paraparë të zhvilloheshin dy sosh. Megjithatë, ndeshja ndërmjet Ferizajt dhe Llapit është shtyrë për shkak të reshjeve të mëdha të borës dhe e njëjta sipas Rregullores së Garave do të luhet të shtunën.

Ndërkohë, Drita ka shënuar fitore kundër Drenicës me rezultat bindës, 4:1, duke e barazuar kuotën e pikëve me Ballkanin në kreun e renditjes. Gjilanasit kaluan në epërsi vetëm pas 8 minutave lojë me golin e Kastriot Rexhës, pas shërbimit të Xhevdet Shabanit.

I njëjti futbollist shënoi edhe në minutën e 21-të, por kësaj radhe u asistua nga Erjon Vucaj. Golin e tretë dhe të sigurisë për Dritën e shënoi Betim Haxhimusa, në minutën e 30-të.

Në pjesën e dytë Drenica e gjeti golin në minutën e 61-të nëpërmjet Alban Shillovës, por nuk pati forcë për të ndryshuar në epilogun e takimit. Ndërkohë, në minutat shtesë Drita shënoi edhe golin e katërt nëpërmjet Izair Eminit.