Detaje pas ndeshjes me Bullgarinë – Ku është Kosova dhe çka e pret ditët në vijim!

0
34

Kombëtarja e Kosovës ka debutuar me barazim para tifozëve të vet në kualifikimet për Euro 2020 në përballje me Bullgarinë në kuadër të Grupit A, me rezultat 1:1.

Atmosfera në stadiumin “Fadil Vokrri” ishte për lakmi, derisa koreografia e realizuar nga “Dardanët” ishte mbresëlënëse. Futbollistët tanë ishin dukshëm më të mirë dhe më këmbëngulës për të arritur fitore, por nuk i shfrytëzuan rastet e krijuara dhe në disa momente fati ua kthehu shpinën.

Loja nisi me presion nga të dyja palët, veçmas nga djemtë e Kombëtares tonë, të cilët nga dëshira e madhe për sukses, sikur nuk e kishte qetësinë e duhur para portës. Mundësia e parë iu dha Milot Rashicës, në minutën e 9-të kur u shërbye mjaft mirë nga Celina në brendësi të zonës, por gjuajtjen e tij e priti portieri Mihaylov.

Një rast tjetër ishte ai i minutës së 23-të, kur Zeneli e dërgoi një top të mirë nga e majta në zonë, të cilin Muriqi e lëshoi për Rashicën, por mbrojtja bullgare u tregua vigjilente. Afër golit Dardanët ishin edhe në minutën e 35-të, kur pas një aksioni të shkëlqyeshëm Celina doli në pozitë të mirë, por gjuajtjen e tij e ndali portieri mysafir. Pas këtyre rasteve të pashfrytëzuara erdhi ndëshkimi dhe atë nga ndërprerja.

Ishte minuta e 39-të kur bullgarët kaluan në epërsi me golin e shënuar nga Vasil Bozhikov me gjuajtje me kokë. Ky gol nuk i zmbrapsi futbollistët tanë, të cilët falë edhe përkrahjes së fuqishme të tifozëve arritën që të kërkojnë golin. Deri në fund të pjesës së parë u krijuan edhe dy raste të mira, por Rashica (43’) dhe Vojvoda me kokë (45’) nuk arritën ta mposhtin portierin bullgar. Presioni drejt portës mysafire vazhdoi edhe në pjesën e dytë.

Në minutën e 55-të shtylla ia mohoi golin Vedat Muriqit, derisa topin e kthyer Rashica e dërgoi në rrjetën e jashtme. Megjithatë, goli i barazimit nuk vonoi shumë. Ishte minuta e 62-të, kur Arbër Zeneli me një veprim në stilin e tij tashmë të njohur, pasi iu shmang dy mbrojtësve me gjuajtje të saktë e dërgoi topin në këndin e djathtë të portës bullgare, duke krijuar gëzim të madh në tribuna.

Pas këtij goli Kosova vazhdoi me ngulm në kërkim të fitores, por hasi në mbrojtje të ngjeshur të bullgarëve. Në minutën e 87-të Zeneli ishte afër të shënojë nga gjuajtja e lirë, derisa në minutën e 90-të Rashica sërish del në pozitë ideale, por gjuajtjen e tij e dëboi portieri Mihaylov, derisa më pas Zhegrova gjuajti jashtë.

Kësisoj, në fund Dardanët tanë u detyruan të pajtohen me shifrat e barabarta, ndonëse e dhanë maksimumin për të arritur te fitorja.

Ndeshjen nga tribuna VIP krahas dy presidentëve të federatave, Agim Ademi e Borislav Mikhailov  e kanë ndjekur edhe krerët e shtetit, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe personalitete të institucioneve tjera.

Kosova dy ndeshjet e ardhshme kualifikuese do t’i luajë si mysafire në muajin qershor kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë.

 

Kosova – Bullgaria 1:1

Stadiumi “Fadil Vokrri”, Prishtinë

Shikues:13.000

Gjyqtarë: G. Mazelka, V. Simkus , V. Kaziauskas  (LTU)

Kartonë të verdhë: Vojvoda, Kryeziu, Halimi – Nedyalkov, Slavchev, S. Popov, Antov, I. Popov

Shënues: Zeneli (62’) – Bozhikov (39’)

Kosova: Muric, Aliti, Kololli, Rrahmani, Vojvoda, Shala (Zhegrova), Kryeziu, Zeneli, Rashica, Celina (Halimi), Muriqi.

Bullgaria: Mihaylov, Popov, Bodurov, Slavchev, Kostadinov, Nedelev, Delev (Danev), Popov, Nedyalkov, Bozhikov, Malinov (Minchev).