Dardanët të gatshëm për përballjen me Malin e Zi, Challandes e Rashica besojnë në fitore

0
44

Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore para ndeshjes tejet të rëndësishme kundër Malit të Zi në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020, që zhvillohet sot në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Atmosfera në kampin e Dardanëve para kësaj ndeshje është shumë e mirë dhe të gjithë janë optimistë për fitore, me të cilën vazhdon ëndrra e kualifikimit në Evropian. Ndërkohë, para stërvitjes në konferencën për media janë paraqitur përzgjedhësi Bernard Challandes dhe futbollisti Milot Rashica, të cilët kanë shprehur shpresën se në ndeshjen e nesërme do të arrijnë fitoren e radhës.

Trajneri zviceran ka pranuar se pas humbjes së Anglisë nga Çekia gjasat për kualifikim janë vështirësuar, megjithatë ka thënë se ajo ndeshje nuk ndryshon asgjë.

“Tani për tani nuk po mendoj për kualifikimin nëpërmjet Nations League, nuk është koha. Edhe në kualifikimet e rregullta ende mund të arrijmë sukses. Për mua s’ka ndryshuar asgjë përkundër fitores së Çekisë. Në rregull, tani është më vështirë, por nuk mendoj për ndeshjet e radhës, jam i përqendruar vetëm te dueli me Malin e Zi. Në fund të ciklit kualifikues nëse nuk është siç kemi menduar, atëherë kemi opsionin tjetër. Sidoqoftë, nëse duam të vazhdojmë të ëndërrojmë, duhet të fitojmë ndeshjen e radhës kundër Malit të Zi”, ka theksuar Challandes.

Ai ka thënë se nesër ekipi i tij duhet të jetë i fokusuar dhe të luajë futbollin që di ta bëjë.

“Për mua më rëndësi është që t’i marrim ndeshjet një nga një. Presioni nganjëherë është i mirë, nganjëherë jo i mirë, por mua më pëlqen. Luajmë në Prishtinë ku s’kemi pasur asnjë humbje. Duhet të japim maksimumin dhe të tregojmë gjithçka në fushë. Këtu ka eufori është një ndjenjë e mirë e përgjithshme, kemi ekip të mirë që mundohen të japin më të mirën nga vetja“, ka shtuar Challandes.

Në anën tjetër, Milot Rashica, i cili nuk luajti në miqësoren kundër Gjibraltrit, ka thënë se është 100 përqind i gatshëm për të dhënë maksimumin në ndeshjen e nesërme.

“Jam gati 100 %. Ka qenë ndeshje e vështirë kundër Franfkurtit në Bundesligë, terren i vështirë dhe luajta 90 minuta. Kam pasur kohë për t’u rikuperuar dhe jam gati për të dhënë më të mirën. Normalisht se nuk do të jetë ndeshje e lehtë kjo kundër Malit të Zi, por këtu kemi përkrahjen e tifozëve dhe kemi gjasa që të fitojmë tri pikë. Deri tani kemi bërë një rrugëtim të mirë dhe çdo lojtar ka marrë një përvojë të mirë. Normal se humbja e Anglisë në Çeki na i ka vështirësuar gjërat, por qëllimi ynë është që në çdo ndeshje të hyjmë për fitore. A besojmë se mund t’i fitojmë tri ndeshjet? Normalisht se ne kemi besim shumë të madh. Jemi një grup i mirë i lojtarëve dhe besoj se gjithçka është e mundshme vetëm duhet të shkojmë ndeshje pas ndeshje”, ka thënë Rashica.

Edhe stërvitjen e sotme të Dardanëve nga afër e kanë ndjekur presidenti Agim Ademi, nënkryetari Bakir Burri dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, derisa në 15 minutat e para të stërvitjes kanë qenë të pranishëm edhe një numër i konsiderueshëm i tifozëve.