Dardanët të gatshëm për miqësoren me Gjibraltarin, e vlerësojnë si test të mirë për Malin e Zi

0
42

Gjithçka është gati për ndeshjen miqësore Kosovë – Gjibraltar, që do të zhvillohet nesërmbrëma në orën 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”. Kombëtarja jonë e ka mbajtur stërvitjen e fundit para kësaj miqësoreje, e cila do t’i shërbejë përzgjedhësit Bernard Challandes si test për ta përgatitur sa më mirë përballjen tejet të rëndësishme kundër Malit të Zi në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020. Në stërvitjen e fundit Challandes ka provuar disa skema të lojës, teksa ka paralajmëruar se kundër Gjibraltarit do t’i japë hapësirë futbollistëve që kanë luajtur më pak me kombëtaren në ndeshjet e deritashme, por edhe që kanë pasur më pak minutazh në klubet e tyre.

“Ndeshja me Gjibraltarin është një mundësi e mirë për ne si ekip dhe për secilin lojtar. Nuk e konsideroj thjesht një miqësore, por një mundësi të mirë për ta përgatitur sa më mirë ndeshjen kundër Malit e Zi. Pres që të gjithë lojtarët të jenë seriozë, agresivë dhe ta japin maksimumin për aq minuta sa do të jenë në fushë. Kush nuk e jep maksimumin do të ketë telashe”, ka theksuar Challandes, i cili e respekton kundërshtarin e nesërm. “Gjibraltari ka organizim të mirë dhe një trajner të mirë nga Uruguai. Është ekip që lufton, nuk është e lehtë për ne. Është e vërtetë se kanë humbur thellë kundër Zvicrës, por golin e parë e pësuan vetëm në fund të pjesës së parë. Ndërkaq, kundër Irlandën pësuan një autogol dhe golin e dytë vetëm në minutat shtesë. Në këtë ndeshje mund të shoh se çfarë mund të bëjnë disa lojtarë që nuk kanë pasur hapësirë deri më tash”, ka shtuar Challandes, i cili ka thënë se do t’i qëndrojnë besnik filozofisë së lojës.

Ndërkaq, mesfushori Anel Rashkaj, ka thënë se ndonëse kemi të bëjmë vetëm me një miqësore, secili lojtar duhet të jetë plotësisht i përqendruar në lojë, pasi kjo ndeshje do t’i shërbejë ekipit për t’u përgatitur sa më mirë për Malin e Zi. “Çdo ndeshje është e rëndësishme dhe pa dyshim edhe kjo ndaj Gjibraltarit është e rëndësishme pasi ka lojtarë që s’kanë luajtur shumë me Kombëtaren dhe është mundësia që të luajnë në këtë takim. Personalisht jam i gatshëm në çdo moment për kombëtaren, kurdo që më jepet rasti, në çdo ndeshje. Sa i përket Malit të Zi duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të mos e shohim si rival më të dobët se ne. Mali i Zi ka lojtarë të mirë, luajnë në Spanjë e Itali, të mos e nënvlerësojmë, ta japim maksimumin, sikur të luajmë me Anglinë. Duhet ta japim më të mirën, të jemi të kujdesshëm ndaj çdo kundërshtari”, është shprehur Rashkaj.