Challandes: Kundër Çekisë duhet të luajmë pa presionin e fitores

0
230

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes është paraqitur sot në konferencë për media në prag të fillimit të përgatitjeve për dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Euro 2020, kundër Çekisë, më 14 nëntor në Plezen dhe kundër Anglisë, më 17 nëntor në Prishtinë.

Challandes ka thënë se asnjëherë nuk u flet futbollistëve se duhet fituar patjetër, por që duhet të luajnë mirë. “Kur e shoh këtë numër të madh gazetarësh mendoj që përpara kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme. Nëse e kujtojmë shortin, kujtojmë ambiciet që kemi pasur atëherë dhe ato ambicie kanë qenë që të zhvillojmë ndeshje të mira, por jo që t’i krijojmë vetes presion të tepruar. Shumë njerëz po mendojmë se ne e kemi me patjetër të fitojmë kundër Çekisë dhe nëse nuk fitojmë çdo gjë ka mbaruar. Unë nuk mendoj kështu dhe nuk e shoh atë ndeshje në atë mënyrë. Është e rëndësishme që të bëjmë një ndeshje të madhe, një ndeshje të mrekullueshme dhe nëse luajmë në atë mënyrë edhe fitorja do të vijë. Asnjëherë nuk do të flasë me skuadrën në këtë mënyrë dhe t’ju jap më shumë presion. Është e rëndësishme të mbesim të njëjtë dhe jo të ndryshojmë tani për këto dy ndeshje që e përcaktojnë fatin tonë në këto kualifikime”, tha Challandes.

Ai shtoi se ndaj Çekisë nuk është ndeshja e jetës, por se pret që lojtarët të zhvillojnë ndeshjen më të mirë në jetën e tyre.

Zvicerani u pyet edhe për situatën e sulmuesit më në formë tek Kosova, Vedat Muriqi për të cilin shpreson që të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj kombëtares çeke.

Sa i përket kundërshtarit të parë, Çekisë, Challandes tha se nuk dëshiron të flasë për pikët e dobëta të kësaj kombëtare. Ai shtoi se kjo ndeshje nuk do të jetë aspak e njëjtë me atë të zhvilluar në Prishtinë.

“Përjashtuar ndeshjen me Anglinë, asnjë skuadër nuk ka pasur paraqitje më të mira sesa Çekia. Asnjë kundërshtar tjetër nuk ka pasur 6 raste shënimi ndaj nesh siç kishte Çekia. Për fitoren e tyre ndaj Anglisë të gjithë kemi qenë të befasuar mirëpo po ju them se atë ndeshje e ka fituar skuadra më e mirë në fushë”, shtoi Challandes.
Dardanët sot në orën 18:00 do ta zhvillojnë stërvitjen e parë në stadiumin “Fadil Vokrri”.