Ballkani mbetet lider, Prishtina rikthehet në garën për titull

0
64

Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e para në kuadër të javës së 21-të në Superligë.

Lideri i renditjes, Ballkani ka arkëtuar një pikë si mysafir, duke barazuar me Gjilanin 1:1. Portokallezinjtë kaluan të parët në epërsi me golin e Mevlan Zekës, në minutën e 76-të, por vetëm dy minuta më vonë shifrat i barazoi Darko Nikaq.

Ndërkohë, Prishtina e ka konfirmuar formën e mirë në këtë stinor, duke e mundur sërish kampionen në fuqi, Dritën në “Fadil Vokrri”, me rezultat 2:0.

Golat për fitoren e Prishtinës i realizuan Leotrim Bekteshi, në minutën e 17-të dhe Tun Bardhoku, në minutën e 87-të. Drita ndeshjen e mbylli me një lojtar më pak pasi në minutën e 60-të, u përjashtua afrikani Henry pas kartonit të dytë të verdhë.

Pas kësaj fitoreje Prishtina rikthehet në garën për titull, ngase ka arritur në kuotën e 41 pikëve, 3 më pak se Drita, përkatësisht 4 pikë më pak se Ballkani. E fitore të rëndësishme ka realizuar edhe Trepça’89, që në “Riza Lushta” e ka mundur Llapin 1:0, me golin e shënuar nga Mohamad Darwish, në minutën e 44-t.