Ballkani e Drita fituan pa vështirësi, Trepça ’89 sërish e mposhti Gjilanin

0
43

Janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 12-të në Ipko Superligë. Ballkani ka vazhduar me formë të mirë, teksa e ka mundur Dukagjinin para tifozëve të vet, me rezultat bindës, 3:0.

Kjo fitore, por edhe humbja e Gjilanit ia ka mundësuar skuadrës nga Suhareka që të ngjitet në pozitën e parë në renditje, me 26 pikë. Golat për Ballkanin i shënuan Blend Baftiu (18’), Arbër Hoxha (22’) dhe Jetmir Topalli (45’).

Ndërkohë, Trepça’89 është treguar sërish e suksesshme në duel me Gjilanin, duke e mposhtur me rezultat 2:0, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, ngase gjilanasit janë dënuar nga Disiplinori që dy ndeshje si vendas t’i luajnë larg fushës së tyre për shkak të incidentit të ndodhur javën e kaluar. Arb Manaj (62’) dhe Engjëll Hoti (66’) shënuan për fitoren tejet të rëndësishme të “minatorëve”.

Fitore si mysafirë dhe me shifra të njëjta realizuan edhe futbollistët e Dritës, të cilët e mposhtën Ferizajn. Bujar Shabani (63’) dhe Betim Haxhimusa (70’) u përkujdesën për fitoren e skuadrës së Dritës, e cila tashmë renditen e dyta, me 24 pikë, aq sa ka edhe rivali lokal, Gjilani, në pozitën e tretë.