Romani “Pse” është kryevepra e tij. E shkroi në Gjirokastër në vitin 1932, pastaj u botua në Korçë më 1935. Për këtë libër u diskutua shumë, u prit mjaft mirë asokohe, e edhe sot shkruhet për të.
Autori Sterjo Spasse kishte mjaft arsye për të shkruar një veprën “Nga jeta në jetë- Pse”.
Ai i përjetonte mjaft vuajtjet e bashkëfshatarëve të tij dhe në përgjithësi të popullit të thjeshtë dhe varfërinë e tyre. E pikërisht nga kjo i lindi pyetja “pse”, e që iu bë si një lajtomotiv në romanin e tij “Pse”.
Sterjo Spasse bënë pjesë në shkrimtarët më vlerësuar me çmime, para dhe pas vdekjes.
Ai u nderua me çmime të para kombëtare për romanet “Afërdita përsëri në fshat”, “Buzë liqenit”, “Zgjimi” dhe vëllimin me tregime “Të fala nga fshati”.
Ka marrë Çmimin e Republikës i shkallës II për romanin “Ata nuk ishin vetëm” në vitin 1954. Dhe, jo vetëm kaq, ai u shpërblye edhe me shumë çmime të tjera.
Sterjo Spasse, konsiderohet si njeriu që shkroi për të edukuar breza të tërë shqiptarësh. U afirmua si shkrimtar, jo me shkollë të lartë, por vetëm me shkollën e mesme.
Leximi dhe puna e palodhur e karakterizoi atë gjatë gjithë jetës së tij.
Jetoi në Tiranë, bashkë me familjen e tij.
Sterjo Spasse u lind me 14 gusht të vitit 1914, në fshatin Gllomboç, Qarku i Korçës.
Ai kreu dy klasat e para fillore në gjuhën greke, pasi në atë kohë zona e Prespës ndodhej nën Greqi. Më 1924, kur Prespa e Vogël kaloi nën Shqipëri, ai e vazhdoi shkollën në Goricë të madhe.
Duke rënë në sy për të mirë në mësime, me ndërhyrjen e vetë mësuesit Pandeli Sina, Sterjo Spasse u dërgua në Korçë. U shkollua dhe punoi në të njëjtën kohë.
Më tej, nën ndikimin e mësuesve të tij të parë Nikolla Mitace, Riza Haliti, Sotir Paphristo, Sterjo Spasse u nis për të vazhduar Normalen e Elbasanit. Edhe aty gjeti mbështetje nga mësuesit.
Në 26 qershor në vitin 1929 u botua shkrimi i tij i parë “Problema” në gazetën “Ora” të Tiranës. Organi që u bë burim I krijimtarisë të tij në këtë fazë të jetës shkollore ishte “Normalisti”.
Pas përfundimit të Normales në vitin 1932 ai u emërua si mësues i gjuhës shqipe në shkollën fillore të Derviçanit të Gjirokastrës.
Aty u bë bashkëpunëtor i rregullt i gazetës “Demokratia”, një gazetë shumë e përhapur në atë kohë.
Pas kësaj, më 1934 u transferua fillimisht në Voskopojë, pastaj në Korçë, ku veprimtaria e tij botuese dhe aktivitete arsimore morën përmasa më të mëdha. Nga fundi i vitit 1939 u transferua në Tiranë si drejtor didaktik pranë Ministrisë së Arsimit.
Në vitin 1942, me shpenzimet e veta vajti në Peruxhia të Italisë, ku kreu me korrespodencë dy vite për pedagogji, në shkollën pedagogjike për të huajt. Për shkak të luftës e la për gjysmë atë
Pas çlirimit, mbaroi me korrespodencë fakultetin gjuhë-letërsi në Tiranë. Në vitin 1958, së bashku me Ismail Kadarenë vajtën për dy vjet për të kryer Institutin “Gorki” në Moskë.
Pas çlirimit për një kohë 3-4 vjeçare ka punuar si mësues në disa shkolla shtatëvjeçare të kryeqytetit; pastaj në Ministrinë e arsimit, në drejtorinë e teksteve shkollore, ku është marrë me hartimin e programeve dhe teksteve shkollore në kuadrin e reformës arsimore të vitit 1946.
Në vitin 1954 u transferua në Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë ku ka qenë redaktor i revistës Nëntori dhe shef i prozës shqipe. E në vitet 60 doli në profesion të lirë.
Sterjo Spasse vdiq në vitin 1989./OxygenPress.info