Ambasadori Szunyog në konferencën ndërkomunale me kryetarët e komunave të Kosovës lindore

0
41

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së, Ambasadori Tomáš Szunyog, mori pjesë në një Konferencë Ndërkomunale ku u mblodhën kryetarët e komunave të Kosovës lindore.

Kjo konferencë ndërkomunale u organizua nën patronazhin e projektit të financuar nga BE-ja “Qendra për Edukim Profesional”. Objektivi i përgjithshëm i kësaj konference ishte që t’i kontribuohej përfshirjes së të rinjve dhe femrave në edukimin profesional dhe përvetësimin e shkathtësive në Rajonin Ekonomik Lindor të Kosovës dhe që të shtoheshin mundësitë e tyre për punësim. Përveç kësaj, që të promovohej bashkëpunimi ndërkomunal, duke u përqendruar në fushat siç janë ekonomia dhe infrastruktura.

Gjatë fjalimit të tij, Ambasadori Szunyog e theksoi rëndësinë e akterëve të ndryshëm që punojnë së bashku për ta avancuar më tej bashkëpunimin e tyre në fushat që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve të tyre.

“Jam shumë i kënaqur që po i mbështesim nismat dhe mënyrat e tilla tejet të mira të bashkëpunimit, në të cilat komunat i bashkojnë forcat për ta zhvilluar rajonin në tërësi. Unë besoj se shumë probleme sot kërkojnë zgjidhje në nivel rajonal”, tha Ambasador Szunyog.

Para konferencës, Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së, Ambasadori Tomáš Szunyog, u takua me Kryetarin e Komunës së Parteshit, Dragan Petkoviq. Të dy këta zyrtarë i shkëmbyen mendimet e tyre për prioritetet e komunës dhe BE-së, si dhe për marrëdhëniet e mira midis komuniteteve dhe komunave, të cilat mund të shërbejnë si model për pjesët e tjera të Kosovës.

Projekti “Qendra për Edukim Profesional – Partesh” i kontribuon përfshirjes së të rinjve dhe femrave në edukim profesional dhe trajnime për përvetësimin e shkathtësive, të cilat do të rezultojnë në një shtimin e mundësive të këtyre grupeve për t’u punësuar në Rajonin Ekonomik Lindor në Kosovë. Ky aksion do të jetë bashkëpunim midis Komunës së Parteshit dhe Agjencisë për Zhvillim Rajonal Lindje.

Përveç kësaj, Qendra për Edukim Profesional do të ofrojë mbështetje financiare për 20 ide për biznese fillestare, të cilat do të propozohen nga femrat dhe të rinjtë. Për më tepër, mbështetje financiare do të ofrohet edhe për zgjerimin e pesë bizneseve ekzistuese, të cilat do t’i shtojnë mundësitë për punësim të pakicave, femrave, të rinjve dhe personave me aftësi të kufizuara.