Ricaktohen datat për vazhdimin e gjykimit në rastin Veteranët

0
58

Më 3, 4 dhe 6 gusht do të vazhdojë gjykimi ndaj 12 të akuzuarve në rastin e njohur si “Veteranët”, raporton Drejtësia Sot.

Lajmin për vazhdimin e këtij gjykimi për Drejtësia Sot, e ka konfirmuar stafi mbështetës i gjyqtarës Nushe Kuka- Mekaj.

Gjykimi në këtë rast pritet të vazhdojë me dhënien e mbrojtjes nga anëtarët në atë kohë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Agim Çeku bashkë me Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Çelë Gashi, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, po gjykohen që në cilësinë e anëtarëve të këtij komisioni kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.

Kujtojmë se edhe në qershor ishin caktuar datat 17 dhe 18 qershor 2020, për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor në këtë çështje penale. Mirëpo, këto seanca ishin anuluar për shkak të rrezikimit të shëndetit të personave prezent në gjykim.

Gjyqtarja Kukaj- Mekaj, për Drejtësia Sot, kishte thënë se për shkak të parandalimit të infektimit nga virusi Covid-19, gjykata e ka konisderuar të arsyeshme që seancat e caktuara për datat 17 dhe 18 qershor të mos mbahen.

Ndryshe, ky rast është duke u gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga kryetarja e trupit gjykues Nushe Kuka- Mekaj me anëtarët Kujtim Krasniqi dhe Agim Kuçi.

Kujtojmë se Prokuroria Speciale, i kishte propozuar kësaj gjykate që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor. Mirëpo, me vendimin i cili mbartë datën 26.03.2019, kjo gjykatë e ka refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se kërkesë i’u është drejtuar palës së tretë (në këtë rast Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale). Lidhur me refuzimin e masës së kërkesës juridike pasurore buxheti i shtetit po dëmtohet në baza mujore në vlerë prej 3,315.00 euro.

Sipas aktakuzës së siguruar nga burimet e Drejtësia Sot, e që përfaqësohet nga prokurorët Valdet Gashi dhe Enver Krasniqi, janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas nenit 422 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Të akuzuar janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Me veprimet e kundërligjshme që dyshohet të jenë kryer pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej ‪88.769.217.04 euro./DrejtesiaSot