Largohen nga lista 2 mijë veteranë të rrejshëm, 20 arrestohen për falsifikim të certifikatës

0
916

2 mijë veteranë të rrejshëm janë larguar nga lista derisa 20 falsifikantë të certifikatës së veteranit janë arrestuar dhe aktualisht po e mbajnë burgun.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, ka treguar se vetëm për tre muaj nga lista janë larguar mbi 780 persona, ku shumica prej tyre shtetas të Shqipërisë.

“Për muajin dhjetor 2019 kanë marrë mbi 37 mijë veteranë kanë marrë pension. Do të thotë ka rënë numri në minus 2 mijë. 20 persona nga regjione të ndryshme janë duke u mbajtur në burg duke vuajtur dënimin për falsifikim të dokumentacioneve false”, ka thënë Gucati.

“Prej listave që flitet se janë lista të fryera, ka ra numri i tyre bukur mirë edhe janë ndal pensionet afër 2 mijë pensione deri tash janë ndalë. Një numër më i madh është në Shqipëria dhe në Kosovë. Në Kosovë janë mbi 780 persona të cilët para 3 muajve janë larguar prej pagave. Deri më tash afër 2 mijë persona që janë larguar nga lista e pagave për pensione të veteranëve”, tha ai.

Sipas tij, 25 persona kanë pranuar fajësinë dhe kanë dorëzuar vetë certifikatën e veteranit.

Por, Gucati ata i ka kthyer mbrapsht. Thotë se nuk ka pranuar që ato certifikata të dorëzohen në OVL-në e UÇK-së, por tek ata persona të cilët ua kanë dhënë këto certifikata.

“Ka prej atyre që janë lajmëruar vullnetar mbi 25 persona, që t’i dorëzojnë certifikatat e veteranëve. Ne ju kemi thënë se Organizata e veteranëve nuk merret me këto punë se nuk ju kemi dhënë ato certifikata dhe ku i keni marrë mundeni edhe me i dorëzu”, tha Gucati për Front.

Ai ka treguar se janë dy lloj të veteranëve mashtrues. Ata që kanë manipuluar dhe falsifikuar certifikatën e veteranit dhe ata që kanë fryer listat, që janë bërë pjesë e listës pa qenë në luftë.

“Këtu janë dy pole të ndryshme, një është te lista e fryme që e kemi fjalën, te veteranët që nuk kanë qenë si dhe prej këtyre që kanë bërë falsifikime të dokumentacioneve dhe vendimeve. Nëse nuk gabohem prej tyre janë 20 persona që janë dënuar që i kanë nxënë me dokumente false, edhe me vendim të pensionit, certifikatë false, janë mbi 20 persona që janë dënuar me regjione të ndryshe”, tha Gucati.