Isha përngut

0
133

Nga Dunya Mikhail

E kam humb atdheun dje.
Isha përngut,
hiç se kam vërejt kur më ka ra
si nji degë e thyeme prej trungut harraq.
Ju lutem, nëse dikush kalimthi
në të merr n’thue,
ndoshta në nji valixhe
të hapun për qiellin,
ose të gdhendun në ndonji shkamb
si plagë e etun,
ose të mbështjellun
me shtrojë emigrantësh,
ose të pezullum
si biletë humbëse e llotarisë,
ose të lanun mas dore
në Purgator,
ose tu u turr tutje pa naj qëllim
si pyetjet e fëmijëve,
ose tu u ngrit bashkë me tymin e luftës,
ose tu u rrokullisë në nji helmet në ranë,
ose të vjedhun në qypin e Ali Babës,
ose të maskuem me uniformë të policit
që trembi të burgosunit
e iku,
ose galiç në trunin e ndonji gruje
që përpiqet me buzëqesh,
ose të shpartallum
si andrrat
e emigrantëve të rinj në Amerikë.
Nëse dikush në të merr në thue,
ju lutem ma ktheni, ju lutem.
Të lutem ma kthe zotni
Të lutem ma kthe zojë.
Asht atdheu jem. . .
Isha përngut
kur e humba dje.

përkthyer nga Vlora Konushevci

*Dunya Mihail është poete irakiane e lindur në Bagdad – Irak. Ajo ka punuar si përkthyese dhe gazetare për Observerin e Bagdadit para se të vendosej në listën e armiqve të Saddam Husseinit. Emigroi në SHBA në mes të viteve të 90-ta. Përkthimi im bazohet mbi përkthimin në gjuhën angleze të Elizabeth Winslow