Vlerësimi i i BE-së: Zgjedhje të administruara mirë dhe transparente

0
81

Shefja e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve, znj. Viola von Cramon-Taubadel, anëtare e Parlamentit Evropian, prezantoi sot gjetjet paraprake të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian (EU EOM) për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.

“Këto zgjedhje të parakohshme ishin të administruara mirë dhe transparente. Fushata ishte e gjallë dhe konkurruese duke i lejuar garuesve që të bëjnë fushatë lirshëm në pjesën më të madhe të Kosovës,” tha znj. von Cramon në konferencën për shtyp që u mbajt sot në Prishtinë.

Dita e zgjedhjeve ishte e rregullt, dhe vëzhguesit nga BE e vlerësuan pozitivisht votimin dhe numërimin. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) siguroi transparencën e procesit duke publikuar menjëherë në internet rezultatet preliminare jozyrtare për subjektet politike të zbërthyera sipas vendvotimeve.

Znj. von Cramon shtoi se “Transparenca ishte tipar kyç i punës së KQZ dhe është për t’u lavdëruar që përkundër afatit të shkurtër kohor, KQZ përfundoi të gjitha përgatitjet zgjedhore me kohë.”

Ambienti i fushatës në trevat e banuara me serbë të Kosovës u cenua nga frikësimi, duke vënë në shënjestër kandidatët dhe përkrahësit që nuk ishin rreshtuar me Srpska Lista. Përveç kësaj, keqpërdorimi i resurseve publike dhe mungesa e transparencës rreth financimit të fushatës rezultuan në një fushë-loje të pabarabartë në të gjithë Kosovën.

“Përsëritja e problemeve sistemike në procesin zgjedhor të identifikuara edhe nga misionet e mëparshme të vëzhgimit, të tilla si thirrja e zgjedhjeve të parakohshme në afat të shkurtër kohor, periudha e parregulluar e para-fushatës dhe të tjera, duhet të adresohen në mënyrë që ta sjellin procesin zgjedhor në Kosovë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike,” tha znj. von Cramon, e cila gjithashtu shtoi se “Një varg rekomandimesh që do të paraqiten së bashku me Raportin Përfundimtar të misionit do të bëhen me të vërtetë kuptimplota vetëm kur të merren parasysh me seriozitet në Kuvendin e radhës, dhe kjo duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur.”

Andrey Kovatchev, shefi i delegacionit nga Parlamenti Evropian tha: “Ne e mirëpresim menaxhimin e përgjithshëm efektiv të procesit. Megjithatë, çështja e financimit të fushatës paraqet fushë të shqetësimit të vazhdueshëm që është ngritur edhe nga misionet e mëparshme të vëzhgimit. Korniza rregullative nuk siguron transparencë dhe integritet dhe duhet të forcohet në mënyrë që ta luftojë korrupsionin dhe të garantojë demokraci të shëndoshë.”

Në ditën e zgjedhjeve, EU EOM dërgoi 108 vëzhgues nga 27 shtete anëtare të BE, si dhe nga Norvegjia dhe Zvicra në mbarë Kosovën. EU EOM do të mbetet në Kosovë për të ndjekur procesin në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe zgjidhjen e çdo ankese dhe parashtrese, deri në certifikimin e rezultateve përfundimtare.

EU EOM dhe Zyra e BE/PPBE në Kosovë veprojnë në mënyrë të pavarur nën mandatet e tyre specifike.