Vendimet e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

0
172

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryetares, dr. Vjosa Osmani, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën vendosi që seanca e radhës e Kuvendit të mbahet të enjten, më 11 qershor 2020, duke filluar në orën 10:00.

Në këtë seancë, pritet të shqyrtohen një varg projektligjesh, si dhe pika të tjera, të proceduara nga ana e Qeverisë.

Pritet shqyrtimi i vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 02/03, dt. 05.06.2020, me të cilin kërkohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës të bëjë ndryshimin dhe tejkalimin e përkohshëm të rregullave fiskale të deficitit, si dhe kufizimit të bilancit bankar të përdorshëm, sipas nenit 22B të Ligjit Nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr.03/L-221, Ligjin nr. 04/L-116, Ligjin nr. 04/L-194, Ligjin nr. 05/L-063 dhe Ligjin nr.05/L-007.

Gjithashtu do të shqyrtohen pesë projektligje: Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar (MFT), Projektligji  për Ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan (MFT), Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (MFT), Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës  mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020” (MFT), si dhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020” (MFT).

Pikë e rendit të ditës së kësaj seance do të jetë edhe raporti vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019.

Këto çështje paraprakisht do të trajtohen në komisionet përkatëse parlamentare.

Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e sotme, shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.

Kryesia procedoi për mendim në qeveri katër iniciativa ligjore të Kuvendit: Projektligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e   Republikës së Kosovës, Projektligji për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID 19”, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i plotësuar dhe i ndryshuar me Ligjin nr. 03/L-221, me Ligjin nr. 04/L-116, me Ligjin 04/L-194, me Ligjin 05/L-063, dhe me Ligjin 05/L-007 dhe Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

U formua gjithashtu Grupi punues për hartimin e Planit Strategjik të Kuvendit për periudhën 2021-2025, ndërsa u kërkua kompletimi sa më i shpejtë i grupeve të miqësisë, Grupit të Grave Deputeteve, Grupit të Deputetëve të Rinj dhe Grupit të Deputetëve të Gjelbër.