Vazhdon intervistimi i Thaçit në Hagë nga ora 13:00

0
62

Presidenti i vendit Hashim Thaçi do të intervistohet edhe sot në Hagë.

Intervistimi i Thaçit do të nisë, ashtu sikur dje, në orën 13:00.

Gjatë ditës së djeshme, Thaçi është intervistuar nga prokurorë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë për plot gjashtë orë.

Pas intervistimit, ai ka folur shkurt duke thënë se ka dëgjuar shkëmbime të teknaliteteve të ndryshme mes avokatit dhe prokurorëve.

”Ishte çështje sqaruese teknike, në të njëjtën kohë edhe ato fillestare të interesimit të Prokurorëve për UÇK-në, kështu që do të vazhdojë nesër”.

Në ndërkohë, para se të futet në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ish-Drejtori Politik i UÇK-së ka ripërsëritur që askush nuk mund ta rishkruajë historinë.

Thaçi, në mesin e brohoritjeve të shqiptarëve që kishin dalë ta mbështesin, tha se ky është çmimi për Pavarësinë.

“Sot jam këtu për të respektuar atë për të cilën kam ëndërruar dhe luftuar – një Kosovë të pavarur bazuar në të drejta të barabarta, shoqëri multi-etnike dhe sundim të ligjit. Jam gati të përballem me sfidën e radhës dhe t’ia dalë me sukses për djalin tim, familjen, njerëzit dhe vendin tim”.

“Askush nuk mund ta rishkruajë historinë. Ky është çmimi për lirinë”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 qershor publikoi propozim-aktakuzën ndaj ish-Drejtorit Politik të UÇK-së Hashim Thaçi dhe ish-kreut të SHIK-ut Kadri Veseli.

Propozim-aktakuza u bë publike pa një konfirmim paraprak nga gjyqtari i procedurës paraprake, praktikë që nuk ndodh në drejtësinë ndërkombëtare.

Por, u tha se Prokurori i Specializuar e gjykoi të domosdoshëm nxjerrjen e njoftimit publik për, siç thuhet, shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thacit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara.

Në ndërkohë, Hashim Thaçi ka vazhduar ta mbajë postin e presidentit. Ai është zotuar se do të japë dorëheqje nëse aktakuza ndaj tij konfirmohet.