Vaksina e Oksfordit, më e favorshmja për vendet në zhvillim, vihet në dyshim nga kritikët

0
75

Vaksina e universitetit të Oksfordit në bashkëpunim me kompaninë farmaceutike AstraZeneca do t’i nënshtrohet një prove të re globale, sepse kritikët vunë në dyshim pretendimin se mund të mbronte deri në 90% të njerëzve kundër koronavirusit.

Të enjten, Sir John Bell, profesori i rregullt i mjekësisë në Oksford dhe këshilltari i qeverisë britanike, hodhi poshtë idetë se provat e mëparshme nuk ishin kryer ose raportuar siç duhet. Ai u shpreh se shpreson te rishikimi i të dhënave nga kolegët pas publikimit të tyre në revistën mjekësore Lancet gjatë fundjavës.

Analistët në SHBA janë të mendimit se kjo vaksinë nuk do të licensohet kurrë në SHBA dhe përkrahin idenë se kompania u përpoq të “zbukuronte” rezultatet. Megjithatë qeveria e Mbretërisë së Bashkuar i ka kërkuar Agjencisë Rregullatore të Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA), organi që licencon vaksinat në Britani, të fillojë procesin e miratimit për fazën e parë të vaksinimit.

Kërkesa për prova të reja të efektivitetit të vaksinës erdhi pasi AstraZeneca dhe universiteti i Oksfordit pranoi të mërkurën një gabim në prodhimin e vaksinës së tyre, gjë që ngriti pikëpyetje në lidhje me rezultatet paraprake të vaksinës eksperimentale kundër Covid-19.

Grupi i vullnetarëve që mori një dozë më të ulët u duk se ishte shumë më mirë i mbrojtur sesa vullnetarët që morën dy doza të plota. Në grupin e dozave të ulëta, tha AstraZeneca, vaksina duket të jetë 90% efektive. Në grupin që mori dy doza të plota, vaksina ishte 62% efektive. Të kombinuara, prodhuesit e ilaçeve thanë se vaksina duket të jetë 70% efektive. “Ju keni marrë dy studime për të cilat janë përdorur doza të ndryshme dhe keni dalë me një përbërje që nuk përfaqëson asnjërën prej dozave,” u shpreh David Salisbury, ekspert i shëndetit global.

Oxford/AstraZeneca u bashkuan me Covax, programin e drejtuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për shpërndarjen e vaksinave në të gjitha vendet dhe ka bërë marrëveshje me prodhuesit në vendet e tjera, ku bën pjesë edhe vendi ynë. Vaksina e Oksfordit u pa si më e përshtatshmja për vendet në zhvillim, për shkak të çmimit të ulët dhe faktit që mund të ruhej në frigorifer. Por aksionet e Astrazeneca-s kanë rënë më shumë se 6% pas situatës së shkaktuar.