Toka plot 420 muaj me temperatura jashtë normales

Emetimet e gazrave në atmosferë janë në kulmin e tyre dhe po rriten në mënyrë të paprecedentë.

Shkurti i vitit 1985, ishte muaji i fundit që toka ka pasur një temperaturë normale, të paktën në krahasim me shekullin e 20-të.

Në 420 muajt në vazhdim, temperatura e tokës ka qenë mbi mesataren e regjistruar në shekullin e 20-të.

Ndërkohë, sipas të dhënave të Departamentit Amerikan Për Oqeanet Dhe Administrimin  Atmosferik kanë treguar se dhjetori i vitit 2019 ishte i dyti për nga nxehtësia i regjistruar në 140 vitet e fundit.

Sipas të njëjtave të dhënave, muaji dhjetor në gjashtë vitet e shkuara ka qenë më i nxehti në histori.

Çfarë Dihet Deri Tani?

Sipas të dhënave:

2019 ka qenë viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë.

19 nga 20 vitet e fundit kanë qenë më të nxehtit të regjistruar ndonjëherë.

Oqeaniet vazhdojnë të përthithin nxehtësi dhe janë ngrohur tej mase që nga viti 1990.

Paralajmërimet e Ekspertëve

Ekspertët paralajmërojnë se ngrohja e vazhdueshme e klimës do të shoqërohet me problematika të mëdha në glob.

Sipas tyre, emetimet e gazrave në atmosferë janë në kulmin e tyre dhe po rriten në mënyrë të paprecedentë.

Nivelet e dioksidit të karbonit nuk kanë qenë kaq të larta në të paktën 800,000 vitet e fundit, në mos në miliona vitet e fundit.

Po Evropa?

Studimet të cilave u referohet AgroWeb.org kanë paralajmëruar gjithashtu se ndryshimet klimatike do të kenë pasoja edhe në vendin tonë.

Një raport i vitit 2016, shpjegonte se deri në vitin 2050, afro 250 njerëz mund të humbasin jetën në vit si pasojë e ndryshimeve në regjimin ushqimor si pasojë e klimës.

Shqetësues është fakti se Evropa është më e prekura, ku Greqia dhe Italia kanë gjithashtu shifra alarmante me respektivisht 124 dhe 89 vdekje për një millionë banorë në vit.

Ndryshimet ekstreme të motit, si përmbytjet dhe temperaturat e larta, sipas ekspertëve të studimit të publikuar në “The Lancet medical journal”, do të shkatërrojnë të mbjellat dhe sigurimi i ushqimit mund të pakësohet me një të tretën deri në vitin 2050.

Kjo do të çonte në një ulje prej 99 kalorish për person në ditë, duke ndikuar drejtpërdrejt në peshën trupore të njeriut.