Khaled Hosseini ( i lindur më 4 mars 1965) është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës sonë. Në sajë të një tregu botues në mbarë botën, shumë nga historitë e Afganistanit që tregon ai janë lexuar edhe nga njerëzit në perëndim. Romanet e tij mund të jenë fiksion, por ato janë plot me të vërteta që vlejnë kudo në botë.
Nëse ju ende nuk keni lexuar asnjë nga veprat e këtij autori këtu mund t’i lexoni nëntë thënie të shkëputura nga librat e tij, që ndoshta mund të ua ndërrojnë mendjen.
1. “Nga të gjitha vështirësitë që një personi i duhet të përballet me to, asnjëra nuk është më dënuese sesa thjesht akti i pritjes” – nga romani “Një mijë diej vezullues”.
2. “Dyshoj se e vërteta është ajo që të gjithë ne e presim. Përkundër gjithë mosmarrëveshjeve të pakapërcyeshme, ne presim që diçka e jashtëzakonshme të ndodhë me ne”, – nga romani “Dhe malet oshtijnë”.
3. “Ka vetëm një mëkat. Një të vetëm. Vjedhja. Çdo mëkat tjetër është vetëm një variant i vjedhjes. Kur vret një njeri, ia ke vjedhur jetën. Vjedh të drejtën e gruas për të pasur një burrë, u vjedh fëmijëve babanë. Kur i thua një gënjeshtër dikujt, ia vjedh të drejtën për ta njohur të vërtetën. Nëse tradhton, ia vjedh të drejtën për besnikëri”, – nga romani “Gjuetari i balonave”.
4. “Një shoqëri nuk ka asnjë shans për sukses nëse gratë e saj janë të paarsimuara”, – nga romani “Një mijë diej vezullues”.
5. “Ishte vetëm një buzëqeshje, asgjë më shumë. Nuk ndryshoi shumë gjëra. Nuk ndryshoi ndonjë gjë. Vetëm një buzëqeshje. Diçka e vogël. Një gjethe në pyll, që dridhet nga rrahja e krahëve të një zogu të trembur. Por do ta pres. Me krahë të hapur…”, nga romani “Gjuetari i balonave”.
6. “Fëmijët nuk janë si librat për ngjyrosje. Ti nuk mund t’i mbushësh ata me ngjyrat e tua të preferuara”, nga romani “Gjuetari i balonave”.
7. “Ashtu si shigjeta e busullës që tregon gjithnjë veriun ashtu edhe gishti akuzues i një burri tregon gjithmonë një grua. Gjithmonë. Mbaje mend këtë”, nga romani “Një mijë diej vezullues”.
8. “Është një veti e njerëzve që e thonë gjithmonë atë që e mendojnë. Ata mendojë se edhe të tjerët e bëjnë gjithmonë këtë”, nga romani “Gjuetari i balonave”.
9. “Dhemb më shumë të kesh e të humbasësh, sesa të mos kesh fare”, nga romani “Gjuetari i balonave”.
Khaled Hosseini punoi si mjek në një spital në Mountain View në Kalifornia për disa vite para se të publikonte romanin “Gjuetari i balonave”. Në vitin 1999, ai mësoi përmes lajmeve se talebanët kishin ndaluar fluturimin e balonave në Afganistan dhe kjo ishte mizore për të sepse ai ishte rritur me këtë sport derisa jetonte në Afganistan.
Hosseini u motivua të shkruante një histori të shkurtë prej 25 faqesh për dy djem që fluturonin balona në Kabul. Ai e rigjeti shkrimin në garazhin e tij në vitin 2001 dhe filloi ta zgjerojë për ta bërë roman pas sugjerimit të një shoku të tij. Sipas Hosseinit, tregimi u bë “më i errët” sesa ai kishte menduar.
Sikurse edhe romanet pasardhëse të Hosseinit, “Gjuetari i balonave” është shumë kohor dhe fokusohet në marrëdhëniet e prindërve me fëmijët.
Pas “Gjuetarit” Hosseini i afrohet lexuesit gjashtë vjet më vonë me romanin “Edhe malet oshtijnë”. Në këtë roman Hosseini shpalos mënyrat e larmishme sesi familjet mbështesin, lëndojnë, tradhtojnë, nderojnë dhe sakrifikojnë për njëri- tjetrin; dhe se sa shpesh ne habitemi nga veprimet e atyre që kemi pranë, në çastet kyçe të jetës.
Duke ndjekur hap pas hapi personazhet e tij, degëzimet e jetëve të tyre, zgjedhjet dhe dashuritë nëpër botë – nga Kabuli në Paris, më pas në San Francisko dhe në ishullin grek Tinos – historia zgjerohet duke u bërë më e ndërlikuar emocionalisht, më tërheqëse dhe më e fuqishme pas çdo faqeje që shfletojmë.
Një fytyrë tjetër e Afganistanit dhe botës njerëzore vjen në librin e tretë të Hosseinit të titulluar “Një mijë diej vezullues”. Dy çunakët që u bënë burra në Afganistanin me tradita e kulturë të pasur, në vendin e shkatërruar nga ekstremizmi, atje ku ëndrrat dhe dëshirat paguheshin shtrenjtë. Historia e tyre ia lë vendin një tjetër historie ku dy vajza që u bënë gra po në Afganistan. Rregulla të ashpra, fate të trishta, diktat dhe ëndrra.