Thaçi: Gjendja me COVID-19 është shqetësuese, zbatoni masat mbrojtëse

0
74

Nga Hashim Thaçi, President i Kosovës

Qytetarë të dashur,

Në javën e fundit kishim rritje të madhe të numrit të të prekurve me virusin COVID-19. Gjendja aktuale është tejet shqetësuese dhe kërkohet kujdes maksimal nga të gjithë.

Ju bëj thirrje që t’i zbatoni në mënyrë rigoroze masat për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 dhe t’i respektoni rekomandimet e institucioneve shëndetësore. Duke i zbatuar masat dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore secili qytetar ruan veten, të afërmit e tij dhe gjithë shoqërinë.

Si president i vendit shpreh falënderim të madh për gjithë personelin shëndetësor, i cili po e jep maksimumin në këtë betejë të përditshme për ta shpëtuar çdo jetë njeriu. Po ashtu, u shpreh ngushëllime të sinqerta të gjitha familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre nga ky virus vdekjeprurës”, ka shkruar Thaçi.

Edhe Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë apel tek qytetarët që të respektojnë masat mbrojtëse ndaj COVID-19, në mënyrë që të mos imponohet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme.

Zemaj, në një postim në Facebook, ka thënë se i dhemb shpirti ta shoh Kosovën e mbyllur pasi virusi rëndon gjendjen e popullatës, rrezikon shëndetin, shqetëson secilin, çrregullon ekonominë dhe çmimet e ushqimeve, humbje të vendeve të punës, rrit varfërinë.

Nëdërsa, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot ka zhvilluar një takim virtual me kryetarët e komunave të Kosovës, për të vlerësuar gjendjen pas rritjes së numrit të të infektuarve dhe viktimave nga COVID-19.

Hoti tha se ka njoftuar kryetarët e komunave që me këtë trend të rritjes së numrit të rasteve të reja, duhet të konsiderohet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme.