“Tërheqja e kursimeve nga Trusti nuk mbulon pjesën e qytetarëve që më së shumti kanë nevojë”

0
91

Instituti për Studime të Avancuara GAP në raportin mbi përfitimet dhe dëmet e mundshme nga tërheqja e parakohshme e kursimeve nga Fondi Pensional, ka thënë se kjo masë e propozuar nga Qeveria e Kosovës nuk mbulon pjesën e atyre personave që më së shumti kanë nevojë.

Sipas GAP, përfituesit e kësaj mase, me tërheqjen e parakohshme të kursimeve, rrezikojnë të mbesin më herët pa të ardhura gjatë kohës së pensionit.

“Kjo masë nuk mbulon personat që më së shumti kanë nevojë, si ata të papunë dhe personat e punësuar pa kontrata pune ku të ardhurat e tyre janë relativisht të vogla. Shuma e përgjithshme që mund të tërhiqet me këtë masë është rreth 200 milionë euro, mirëpo marrë parasysh që një numër i madhi qytetarëve nuk kanë kursime të mjaftueshme në Trust për ta bërë të leverdishme tërheqjen e 10 për qind të tyre, ndikim në kërkesë agregate nuk pritet të jetë i madh. Për më tepër, përfituesit e kësaj mase, me tërheqjen e parakohshme të kursimeve, rrezikojnë të mbesin më herët pa të ardhura gjatë kohës së pensionit. Megjithatë, pasi se tërheqja e të hollave nga Trusti është paraparë të bëhet në mënyrë vullnetare, qytetarët të cilët nuk duan t’i tërheqin kursimet pensionale, nuk janë të obliguar ta bëjnë një gjë të tillë”, thuhet në raport.

GAP thotë, se kjo nuk do ta ngarkoj buxhetin e Kosovës.

“Në anën tjetër, meqenëse këto të holla nuk do të kompensohen nga shteti, zbatimi i kësaj mase nuk do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetin e shtetit apo në borxhin publik të Kosovës. Mundësia e tërheqjes së kursimeve të Trustit, për një pjesë të qytetarëve mund të lehtësojë barrën e borxhit të shkaktuar nga gjendja ekonomike e pandemisë dhe të rrisë qarkullimin e parasë në treg edhe për personat që nuk përfitojnë nga kjo masë. Po ashtu ekziston mundësia e punëdhënësve dhe punëmarrësve që në një të ardhme, në mënyrë vullnetare, t’i rikuperonin paratë e tërhequra në Trusti duke e rritur kontributin deri në 10 për qind të pagës së tyre vjetore”, vijon raporti.

Kujtojmë se, Qeveria e Kosovës në kuadër të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike pas pandemisë COVID-19 që ishte prezantuar në Programin Qeverisës 2020-2023, kishte thënë se do të bëhej e mundur përdorimi i një përqindjeje të mjeteve financiare të kursyera në Trust.

Masa e pestë e kësaj pako parashikonte stimulimin e kërkesës agregate që ka për qëllim rritjen e shpenzimeve të konsumatorëve.

“Kthimi i një përqindjeje të mjeteve të kursyera në Trustin Pensional për kontributpaguesit, bazuar në nevojat e tyre, e cila mundësi mund të shfrytëzohet për një periudhë 3-mujore, e cila shumë kompensohet nga shteti brenda pesë viteve”, thuhet në masën e pestë të kësaj pakoje, përcjell Telegrafi.

Mirëpo, Ministria e Financave njofton qytetarët e nuk do të kompensohet shuma e tërhequr nga Trusti.

“Ministria e Financave njofton qytetarët e Kosovës se Qeveria e Kosovës në kuadër të programit për rimëkëmbjen ekonomike e ka paraparë edhe tërheqjen e 10 për qind të kursimeve nga Trusti i Pensioneve. Mirëpo, qytetarët të cilët bëjnë tërheqjen e 10 për qind nuk do të kompensohen nga Qeveria për shumën e tërhequr”, thuhet në reagimin e MF-së.

Në kuadër pakos për financimin e masave, pritet që të përdoren 170 milionë euro kthime të kursimeve pensionale për kontributpaguesit nga Fondi i Kursimeve Pensionale.