Tahiri: Pas tri jave mund të nisin aplikimet online për tërheqjen e 10% nga Trusti

0
91

Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Tahiri pas vizitës që i bëri sot Trustit Pensional ka bërë të ditur se në bazë të planifikimeve, diku pas tre jave mund të nisin aplikimet për tërheqjen e kursimeve, prej 10 për qind.

“Procedura e aplikimit do të jetë e thjeshtë. Do të jepet numri personal dhe i xhirollogarisë, kjo verifikohet nga BQK-ja dhe paratë e Trustit, 10 për qindëshi do të jetë në xhirollogari të përfituesit, atij që aplikon”, bëri të ditur Tahiri.

Duke treguar procedurat, Tahiri tha se Ligji për rimëkëmbje ekonomike është në Kuvend, do të diskutohet në Komision, pastaj do të shkojë në Kuvend për miratim.

Sipas tij, nëse kjo punë fillon nga shtatori e tutje, hyjnë rreth 200 milionë euro hyjnë në qarkullim në tregun e Kosovës.

Ndërkaq, Ardian Zalli nga Trusti pensional tha se e kanë njoftuar zëvendëskryeministrin Tahiri me të gjitha përgatitjet që janë duke u bërë për mundësinë e tërheqjes së 10 për qindëshit.

Sipas tij, kjo do të bëhet vetëm online dhe mund të bëhet vetëm pasi ligji të hyjë në fuqi, të nënshkruhet nga presidenti dhe të shpallet në gazetën zyrtare.