Shpallet fajtore për korrupsion zyrtarja e komunës së Prishtinës, dënohet me burgim me kusht

0
190

Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten, e ka shpallur fajtore dhe e ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht të akuzuarën për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Nerxhivane Demolli, raporton Drejtësia Sot.

Demolli akuzohej se duke qenë zyrtare e tatimit në pronë në Komunën e Prishtinës, ka keqpërdorur detyrën zyrtare ashtu që ka marrë nga qytetarët shumën e parave në vlerë prej 10 euro duke lëshuar vërtetime me vlerë zero euro, kinse është përmbushur taksa komunale për regjistrimin e automjeteve.

Sipas aktgjykimit të shpallur sot nga gjyqtari i Departamentit për Krime të Rënda, Vesel Ismajli, dënimi me burgim me kusht prej 1 viti e 6 muajsh nuk do të ekzekutohet nëse ajo nuk kryen vepër të re penale brenda periudhës verifikuese prej 2 vitesh.

Me këtë aktgjykim, gjykata e detyroi Demollin që ti kompenzoj komunës së Prishtinës dëmin në vlerë prej 4780 euro, ndërsa shpenzimet e procedurës penale bien mbi barrën e gjykatës.

Ndryshe, në shqyrtimin e sotëm gjyqësor ishte paraparë që të vazhdohej me dëgjimin e dëshmitarëve, mirëpo e akuzuara deklaroi se është e gatshme të pranoj fajësinë për veprën penale.

Nën këto rrethana, pasi që gjykata i dha mundësinë që të deklarohet rreth fajësisë, ajo tha se pranon veprën penale që i vihet në barrë dhe se ndihet e penduar për veprimet e saja.

Sipas aktakuzës së përfaqësuar nga prokurori Ibrahim Berisha, e akuzuara si person zyrtar e punësuar në Komunën e Prishtinës, e ka keqpërdorur pozitën zyrtare ashtu që ka marrë nga qytetarët shumën e parave prej 10.00 euro duke lëshuar vërtetime pa mbulesë në shumë prej 0 euro kinse është përmbushur taksa komunale për regjistrimin e automjeteve, pa siguruar prova se personat kanë qenë të liruar nga pagesa.

Gjithnjë sipas aktakuzës e pandehura ka lëshuar gjithsej 496 vërtetime të tilla, kështu duke i shkaktuar buxhetit të Komunës së Prishtinës dëm në shumë prej 4.960.00 euro.