Sërish dështon të mbahet shqyrtimi fillestar në rastin “Falja e Hidrocentraleve”

0
62

Pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamentit Special, sërish ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar në e rastin “Faljes e Hidrocentraleve”, ku po akuzohen ish- ministrat Besim Beqaj, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, deputetja Mimoza Kusari- Lila dhe 15 zyrtarë tjerë për privatizimin e distribucionit të shpërndarjes së energjisë elektrike nga KEK-u, raporton Drejtësia Sot.

Arsye e dështimit të kësaj seance ishte kërkesa e mbrojtësit të akuzuarit Besim Beqaj, avokatit Besnik Berisha, pasi që i njejti sot ka pranuar shkresat e lëndës nga ana e Prokurorisë Speciale.

Andaj mbi këtë bazë avokati Berisha potencoi se i mbrojturi i tij Besim Beqaj, nuk mund të deklarohen në lidhje me fajësinë pa i shqyrtuar provat.

Duke u bazuar në këtë rrethana, gjyqtari i çështjes Valon Kurtaj, ndërpreu seancën e sotme dhe atë të radhës e caktoi më 28 tetor në ora 09:30.

Ndryshe, në seancën e sotme shkresat e lëndës i kanë pranuar edhe të akuzuarit Arben Gjuka dhe Mujë Rugova.

Vlen të theksohet se seanca e shqyrtimit fillestar e paraparë të mbahet më 29 qershor 2020, kishte dështuar të mbahet në mungesë të të akuzuarve Besim Beqaj, Arben Gjuka dhe Mujë Rugova.

Ndërsa seanca e datës 14 maj 2020, ishte anuluar paraprakisht për shkak të rrezikut nga COVID- 19.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori special Atdhe Dema, të pandehurit Besim Beqaj- kryesues i Komitetit Qeveritar për Privatizim, Mimoza Kusari, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe L.F., anëtarë të Komitetit Qeveritar të Privatizimit (KQP), në cilësi të personave zyrtar, me qëllim që të i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që të shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta, kanë vepruar në kundërshtim me detyrat dhe të drejtat e tyre të përcaktuara si anëtarë të këtij Komiteti, pasi që me datë 08.05.2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike të transferohen tek KKDFE dhe më pas të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.

Gjithnjë sipas aktakuzës këto hidrocentrale janë: hidrocentrali i Lumbardhit, hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe hidrocentrali “Dikance”.

Po ashtu, në të njëjtën ditë janë nënshkruar marrëveshja për importe, për transferim, për furnizim, për implementim, për borxhe. Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve është përmbyll procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të tranferohen dhe privatizohen, për arsye se një veprim të tillë e ndalon baza ligjore e ligjit për rregullatorin e energjisë elektrike.

Andaj me këto veprime, të njëjtit, kanë dëmtuar interesat e kompanisë KEK si dhe aksionarit Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht vetëm për qera mujore për periudhat e mbetura të koncesionimit në shumën prej 1,054,000.00 euro, sepse e njëjta duhet të i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese, si dhe pas përfundimit të koncesionimit, të njëjtat ngelin në pronësi të kompanisë privatizuese.

Sipas Prokurorisë Speciale, dëmi tjetër i shkaktuar direkt është vlera e investuar në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, që nuk përfshinë vlerën e aseteve para koncesionit.

Ndërkaq, e pandehura F.H., menaxhere në projektin për privatizim (NJIP) e autorizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik ( MZHE), Arben Gjuka, Drejtor Menaxhues në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), B.H., koordinator për shthurje të KEK-ut, si dhe i pandehuri K.B., anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE), njëherë i deleguar në KQP (Komiteti Qeveritar për Privatizim), si përfaqësues i ZRRE-së, secili ndaras, me qëllim që të i mundësojnë çfarëdo përfitimi pasuror dhe që të shkaktojë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.

Ndërsa, i pandehuri F.Ç, kryesues i Bordit të KEK-ut, M.R., A.N., F.K. dhe I.I., në cilësinë e anëtarë të Bordit të KEK-ut, si dhe G.J., kryesues i Bordit të KKDFE-së, B.B., G.Sh., N.H. dhe A.A., anëtarë të Bordit të KKDFE-së, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim që të i mundësoj çfarëdo përfitimi pasuror dhe që të shkaktoj dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.

Me këto veprime të pandehurit e lartcekur kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës./DrejtesiaSot