SBASHK’u nuk i zëvendëson orët e humbura në grevë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës që nga fillimi ka qenë kundër zëvendësimit të orëve të humbura nga greva trijavore.

Të njëjtit kanë  njoftuar se nga raportet e arritura nga komunat e Kosovës vërehet se shumica absolute e shkollave gjatë ditës së djeshme nuk kanë punuar.

Nëpërmjet një komunikate për media SBASHK-u bën të ditur se kryesia e tyre ka komunikuar vazhdimisht me kryetarët e kuvendeve sindikale komunale në tërë Kosovën për t’u informuar me situatën aktuale në institucionet arsimore të Kosovës

“Nga raportet e arritura nga komunat e Kosovës vërehet se shumica absolute e shkollave të Kosovës sot nuk kanë punuar. Kjo do të thotë se ato respektojnë në tërësi vendimin e Këshillit Drejtues që orët e humbura të grevës të mos kompensohen, por të pritet vendimi meritor i Gjykatës Themelore në Prishtinë pasi që SBASHK ka dërguar padi në këtë Gjykatë ndaj vendimit të MASHT-it lidhur me kompensimin e orëve të humbura në grevë”, thuhet në komunikatë.

SBASHK-u shton se bazuar në këto raporte vërehet se në shumicën e komunave nuk ka punuar sot as një institucion i Arsimit Parauniversitar, por ka raste në ndonjë komunë, aty e këtu, kur është tentuar të mbahet mësimi në ndonjë shkollë, por numri i nxënësve ka qenë tepër i vogël dhe kjo tendencë e ndonjë drejtori a DKA-ja ka shkuar e kotë.