SBASHK-u thotë se java e ardhshme do të jetë pushim për të gjitha shkollat

0
61

Javën e ardhshme të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar do të shkojnë në pushim pranveror për një javë ku pas këtij pushimi sërish procesi mësimor do të mbahet me prezencë fizike në objektet shkollore dhe jo online.

Gjatë kësaj jave të pushimit do të bëhet dezinfektimi i të gjitha objekteve shkollore, si dhe do të vlerësohet situata epidemiologjike në shkollat në nivel vendi.

Të paktën kështu ka thënë përfaqësuesi i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Ymer Ymeri, i cili ka qenë prezent në takimin e sotëm që është mbajtur me Ministren e Arsimit dhe Shkencës Arbërie Nagavci, përfaqësues të DKA-ve, SBASHK-ut, Këshillit të Prindërve, IKSHPK-së dhe drejtorë të shkollave.

Ai për KosovaPress ka thënë se tashmë është vendosur që java e ardhshme të jetë pushim për shkollat në të gjithë vendin, e një gjë të tillë sipas tij e ka rekomanduar edhe përfaqësuesi i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

“Pas diskutimeve që janë bërë është vendosur që gjatë javës së ardhshme, edhe me rekomandimin e përfaqësuesve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik i cili ishte në takim, që të mbahet një javë pushim meqenëse pushimi pranveror sipas kalendarit ka qenë e paraparë në këtë javë”.

Ai ka potencuar se të gjithë përfaqësuesit në këtë takim janë deklaruar pro mbajtjes së pushimit pranveror, e një pushim i tillë thotë se është i mirëseardhur edhe për shkak të numrit në rritje të infektimeve dhe rasteve të vdekjeve edhe brenda personelit arsimor.

“Është interesante se për pushimin pranveror kanë qenë të pajtimit të gjithë, edhe Këshilli i Prindërve edhe ne si përfaqësues të mësimdhënësve dhe DKA-të. Duke e pasur parasysh numrin në rritje të infektimeve që janë këto ditë edhe duke e pasur parasysh që kemi raste të vdekjeve edhe të mësimdhënësve, për shembull sot e kemi një rast vdekje në komunën e Prizrenit që ka vdekur nga COVID-19, si dhe duke e pasur parasysh se rastet e reja të paraqitjes së COVID-19 po ka edhe tek fëmijët dhe nxënësit mendojmë që është mjaft e dobishme në mënyrë që ta ulim pak infeksionin këto ditë. Mendoj që është e mirëseardhur së pari për shëndetin edhe të nxënësve edhe të mësimdhënësve, po edhe mendoj që është e nevojshme një lloj pushimi për fëmijët”.

Në këtë takim të përfaqësuesve të sistemit arsimor është diskutuar edhe çështja e zëvendësimit të ditëve të humbura mësimore.

Ymeri thotë se si përfaqësues të mësimdhënësve kanë propozuar që ky zëvendësim të bëhet ditëve të shtune.

“Ne si përfaqësues të sindikatës kemi thënë që më e mira është që zëvendësimi të bëhet ditëve të shtune – një të shtune po, një të shtune jo – në mënyrë që mos të shkohet për shkak se e dimë që për klasat 1-8 viti shkollor përfundon më 30 qershor dhe të mos shtyhet mësimi edhe në muajin korrik”.

Sipas kalendarit mësimor, pushimi pranveror ka qenë i paraparë të nisë më 29 mars dhe të zgjasë deri më 4 prill.